Zgjedhjet- Tabaku kritika qeverisë: Ndodhemi në pikë kthese. Për të hyrë në BE, s’mund të injorohen standardet demokratike

Politikë | 1 vit më parë

Kryetarja e Komisionit për Çështjet Europiane, Jorida Tabaku gjatë fjalës së saj në mbledhjen e kësaj të premte, ka kritikuar ashpër sjelljen e qeverisë gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, duke theksuar se rruga drejt Bashkimit Europian nuk mund të jetë fasadë që sipas saj, injoron standardet demokratike.

Tabaku u ndal dhe te raporti i OSBE/ODIHR, duke u shprehur se aty janë ngritur një sërë problematikash që sipas saj, për Shqipërinë e 2025-ës e cila synon që brenda 2030-ës të jetë pjesë e familjes së madhe europiane, nuk do duhej të ekzistonin.

Tabaku nënvizoi se këto problematika të nënvizuara në raport, sfidojnë procesin integrues të vendit.

“Ne jemi duke diskutuar për grupkapitullin e 4-të, agjendën e gjelbër dhe konektivitetin e qëndrueshëm”. Ky është një grupkapitull është shumë i rëndësishëm për mjedisin, energjinë dhe nga ana tjetër ndodhemi në një pikë kthese, pas zgjedhjeve parlamentare, ku të gjithë kriteret që lidhen me grupkapitullin e parë, themeloret, janë vendosur në provë. Këto janë zgjedhjet e para që janë kryer pas hapjes së negociatave, zgjedhje të cilat pak javë më parë, i përjetuam dhe raporti i OSBE/ODIHR ngriti një sërë çështjesh thelbësore: përdorimi i administratës publike, dhe presioni ndaj saj, përdorimi i burimeve shtetërore, presioni mbi votën, çështje që në Shqipërinë e 2025-ës do kishim menduar se nuk ekzistonin, por fatkeqësisht ekzistojnë dhe sfidojnë procesin e integrimit dhe angazhimin e vullnetin politik që qeveria do duhej të kishte treguar në këto zgjedhje.

Nuk mund të sillemi sikur zgjedhjet nuk kanë ndodhur dhe ta bëjmë procesin e integrimit, proces kombëtar”, deklaroi Tabaku në fjalën e saj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme