Zgjerimi dhe Plani i Rritjes/ Mbahet sot samiti BE–Ballkani Perëndimor në Tivat, Rama mes liderëve pjesëmarrës

Politikë | 5 muaj më parë

Nis sot punimet samiti BE–Ballkani Perëndimor në Tivat të Mali i Zi, me temë qendrore “Prosperiteti dhe Stabiliteti i Përbashkët i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”.

Në këtë takim të nivelit të lartë marrin pjesë Kryeministri Edi Rama, liderët e vendeve të rajonit, si dhe drejtuesit kryesorë të Bashkimit Evropian.

Çështjet e zgjerimit të BE-së, zbatimi i Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe forcimi i bashkëpunimit rajonal janë në qendër të agjendës. Pjesë e samitit janë edhe Presidentja e Komisioni Evropian, Ursula von der Leyen, Presidenti i Këshilli Evropian, António Costa, si dhe Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz.

Samiti, që zhvillohet gjashtë muaj pas takimit të fundit në Bruksel, rikonfirmon partneritetin strategjik mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, si edhe angazhimin e unionit për procesin e zgjerimit.

Gjatë diskutimeve, liderët do të fokusohen në ecurinë e negociatave të anëtarësimit, integrimin gradual të vendeve të rajonit në tregun evropian dhe zbatimin e reformave të nevojshme për afrimin me standardet e BE-së.

Në kuadër të samitit, Kryeministri Edi Rama pritet të zhvillojë edhe takime dypalëshe me homologë dhe përfaqësues të lartë evropianë, në një moment të rëndësishëm për Shqipërinë, e cila ka hyrë në fazën e mbylljes së kapitujve të negociatave për anëtarësim.

Samiti në Tivat zhvillohet në kuadër të zbatimit të Agjendës Strategjike të Këshillit Evropian 2024–2029, e cila përcakton prioritetet kryesore të Bashkimit Evropian për vitet e ardhshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme