Zhupa: Ministrja Bilali keqpërdor paratë e shtetit, shpërndan miliona lekë për miqtë e saj

Deputetja e “Rithemelimit” të Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka denoncuar skemën e abuzimeve, sipas saj, me grantet e Start-up-eve. Zhupa deklaroi për mediet se ministrja e Sipërmarrjes, Edona Bilali pa pasur frikë nga ligji, i ka dhënë dy grante me vlerë 88 milionë lekë, dy organizatave që janë pjesë e rrjetit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.
“Edona Bilali dhe dy shefat e AADF, Mata e Sarapuli, nuk e kanë parë konfliktin e interesit në faktin se janë që të dy anëtarë të bordit të qendrës që përfiton grante dhe njëkohësisht kanë anëtarët e AADF ne komisionin qe i jep grantet. Ky konflikt i hapur interesi, që vetë i bëjnë organizatat dhe vetes ia japin paratë, ngjan si një darovitje tipike ballkanike. Sa për kujtesë të publikut, Fondacioni Shqiptaro Amerikan për Zhvillim ka qenë në qendër të debatit kohët e fundit për koncensionin e Butrintit. Ky ka qenë shqetësimi i madh që, unë si deputete, dhe Partia Demokratike kanë ngritur vazhdimisht sa i takon këtij rasti. A mos, një aset kombëtar dhe ndërkombëtar si Butrinti, përdoret për interesat flagrante personale dhe private duke devijuar fonde dhe dëmtuar trashgiminë?! Një pjesë e përgjigjes jepet nga përfshirja e dy krerëve të AADF në një skemë të pastër përfitimi pavarësisht konflikti të hapur të interesit.”- deklaroi Zhupa.
Sipas saj, Flladi Agolli, i biri i Dritan Agollit, drejtor i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, ka përfituar 40 milionë lekë për Start-up-in e tij.
“Ministrja e sipërmarrjes në keqpërdorim të parave nga arka e shtetit, ka darovitur edhe një familje tjetër, me sa duket të afërt me të dhe partinë. Altin dhe Arbi Bamllari, babë e bir, kanë marrë 50 milionë lekë për kompanitë e tyre “Skytech” dhe “3DSKY”. Gjithashtu, Bilali ka dhënë një grant prej 50 milionë lekësh për Kamela Haskon, auditore që e mesa duket ka qenë bashkëpunëtore e Edonës kur kjo drejtonte një kompani konsulencash. Prova të tilla dalin e teprojnë për të kuptuar se Shqipëria është në rrezik dhe se ne duhet t’i dalim zot”,- deklaroi Zhupa.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




