Zjarret- 4 vatra aktive, vijon zjarri në landfillin e Elbasanit. Flakët përfshijnë një banesë në Fier, pronari në spital

Katër vatra zjarri janë ende aktive në vend, nga 16 të raportuara në 24 orët e fundit. Në një përditësim të situatës, Ministria e Mbrojtjes bën me dije se zjarri në landfillin e Elbasanit, që vijon prej 4 ditësh, është ende aktiv. Sipas Ministrisë, gjatë ditës së djeshme u ndërmorën veprime për hedhjen e inerteve dhe kapsulimin e mbetjeve dhe se forcat operacionale do të vijojnë edhe sot punën për shuarjen e plotë të zjarrit.
Ndërkohë, në fshatin Bulticë në Tiranë, flakët kanë përfshirë një sipërfaqe me shkurre dhe ferra, por terreni i vështirë e bën të pamundur kalimin e mjeteve. Ministria njofton se sot do të vijojë ndërhyrja me forca operacionale dhe helikopterin Cougar.
Në Has, në zonën malore mes fshatrave Gjinaj dhe Domaj, zjarri ka rënë në një sipërfaqe me pyll pishe, por era dhe terreni i thyer e bëjnë të vështirë ndërhyrjen.
Një tjetër vatër aktive zjarri ndodhet në Finiq, mes fshatit Grazhdan dhe fshatit Malçan. Situata është më e qetë dhe intensiteti i zjarrit ka rënë. Zjarri po monitorohet nga një mjet zjarrfikës me 3 efektivë dhe punonjës të Shërbimit Pyjor në fshatin Malçan.
Në Fier, në fshatin Seman i Ri, një banesë u përfshi nga flakët. Pronari u transportua në Spitalin Rajonal dhe banesa pësoi dëme në orendi dhe pajisje elektroshtëpiake. Po ashtu dëme materiale nga flakët janë regjistruar edhe në fshatin Fushë Prezë, ku një hangar me bar u përfshi nga flakët duke shkaktuar djegien e 1600 dëngjeve me bar.
Sipas parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave, sot pritet nivel rreziku “I” pothuajse në të gjitha qarqet, përjashtuar qarqet Durrës, Korçë dhe Vlorë, ku pritet nivel “i moderuar”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




