Zjarret e para të verës në Gjirokastër, zjarrfikësit apelojnë për kujdes nga fermerët dhe blegtorët
Me nisjen e sezonit të nxehtë të verës, shërbimi zjarrfikës i Gjirokastrës ka regjistruar vatrat e para të zjarrit në zona të ndryshme të qarkut.
Autoritetet apelojnë blegtorët dhe fermerët që të tregojnë kujdes maksimal gjatë aktiviteteve të përditshme, për të parandaluar përhapjen e flakëve dhe dëmet që ato mund të shkaktojnë.
“Kanë qenë disa vatra zjarri që janë kapur në kohë nga shërbimi ynë dhe janë shuar plotësisht. Sipas të dhënave që kemi, zjarri në Palokastër ka ardhur nga pakujdesia. Në Arshi Lengo, zjarri po ashtu mendojmë se ka qenë nga pakujdesia, duke qenë se i zoti i shtëpisë po saldonte në një stallë për bagëtitë.
U bëj një apel gjithë blegtorëve: të bëjnë kujdes për zjarrvëniet, sidomos në kullotat e tyre, sepse masat janë të rrepta për vënien para drejtësisë të gjithë autorëve. Me Policinë e Shtetit kemi një bashkëpunim shumë të mirë,” apeloi shefi i Shërbimit Zjarrfikës, Gramoz Llapi.
Shërbimi zjarrfikës thekson se bashkëpunimi i qytetarëve mbetet vendimtar për të mbrojtur mjedisin dhe jetën e komunitetit. Çdo rast zjarri apo rreziku duhet njoftuar menjëherë në numrat e emergjencës, për të mundësuar ndërhyrjen në kohë.
Gazetare: Enkeleda Domeri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




