Zjarret, Ministria e Mbrojtjes: 3 vatra aktive, shuhen flakët në Dibër dhe Fier

Aktualitet | 2 muaj më parë

Ministria e Mbrojtjes ka dhënë përditësimin e radhës mbi gjendjen e zjarreve, ku gjatë ditës janë raportuar 11 vatra zjarri, nga të cilat 3 mbeten aktive, 2 janë nën mbikëqyrje dhe 6 janë shuar plotësisht.

Në operacionet e shuarjes janë angazhuar 119 forca operacionale vendore e lokale, 12 automjete zjarrfikëse, si dhe 25 efektivë të Forcave të Armatosura.

Vatrat aktive ndodhen në Gallatë të Kurbinit, ku zjarri vijon në shkurre e pisha, por pa rrezik për zonat e banuara; në Librazhd Katund, ku janë angazhuar 5 efektivë të MZSH Librazhd; si dhe në Bularat, Dropull, ku janë angazhuar 10 efektivë të MZSH, 5 forca bashkiake dhe 25 efektivë të FA. Edhe në këto zona nuk raportohen banesa në rrezik.

Në Qarkun Dibër, zjarri në Lundre–Madhesh është shuar, ndërsa vatrat në Cerrujë, Mali i Allushit dhe Selishtë janë nën mbikëqyrje dhe nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.

Në Qarkun Fier, vatrat në Bitaj, Lushnje dhe Rërës, Patos janë shuar plotësisht.

Ndërkohë, reshjet e dendura të shiut kanë prekur qytetin e Elbasanit, ku janë regjistruar 55 mm.

Si pasojë, është ndërprerë qarkullimi në Bulevardin kryesor dhe në Urën e Shkumbinit, ndërsa disa banesa e biznese janë përmbytur në lagjen “5 Maji” dhe zonën e ish-NSHU-së.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme