Zjarret në Delvinë, ministri Vengu: Situatë e përmirësuar, por duhet gatishmëri e lartë

Kronikë | 1 vit më parë

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ndoqi nga afër situatën e zjarreve masive që kanë përfshirë fshatrat Vergo, Palavli dhe Kopaçëz në Delvinë. Pas ndërhyrjes intensive, ministri njoftoi se situata është përmirësuar, por theksoi nevojën për gatishmëri të plotë për shkak të temperaturave të larta të pritshme.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Vengu u shpreh se katër helikopterë janë angazhuar me fluturime të pandërprera në tre fshatrat e prekur, duke punuar për të kufizuar perimetrin e flakëve. Paralelisht, mbi 120 forca po operojnë në terren për të orientuar dhe mbështetur banorët.

“Duhet të sigurohemi që mbrëmja të kalojë sa më e sigurt për ta, ndërsa mbetemi në gatishmëri të plotë, pasi orët në vijim pritet të jenë të vështira për shkak të temperaturave të larta,” theksoi ministri.

Ministri Vengu vlerësoi gjithashtu aktin heroik të Shefit të Komisariatit të Policisë Delvinë, i cili ndërhyri për të ndihmuar banorët në kushte jashtëzakonisht të vështira dhe pësoi lëndime gjatë operacionit.

“Shefi i Komisariatit të Delvinës ka ndërhyrë për të ndihmuar banorët në kushte shumë të vështira, duke kryer një akt të vërtetë heroik. Ai është lënduar gjatë operacionit dhe po merr ndihmën shëndetësore në spital. I urojmë shërim të shpejtë dhe jemi mirënjohës për guximin e treguar nga çdo efektiv,” shtoi ministri.

Në fund, Vengu falënderoi forcat zjarrfikëse, Policinë e Shtetit dhe partnerët ndërkombëtarë që po ndihmojnë Shqipërinë në këtë situatë të vështirë me zjarret.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme