Zjarret në vend, 13 vatra aktive. Flakët rrezikojnë dy banesa në Shkodër

13 vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në disa qarqe të vendit, ndërsa situata më problematike raportohet në Mnelë të Vogël, në qarkun Shkodër, ku dy banesa janë në rrezik nga flakët. Forcat zjarrfikëse po punojnë për mbrojtjen e banesave, ndërsa Forcat e Armatosura kanë vijuar mbështetjen e operacionit.
Sipas informacionit të Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë raportuar 43 vatra zjarri. Prej tyre, 22 janë shuar, 8 janë nën mbikëqyrje dhe 13 vijojnë aktive.
Në qarkun Shkodër, përveç Mnelës së Vogël, aktive mbeten edhe vatrat në Bardhaj–Myselim dhe në Malin e Tërbunit. Në këto dy zona nuk raportohet rrezik për banesat. Sot Forcat e Armatosura do të vijojnë mbështetjen me rreth 80 efektivë në këto tri vatra.
Një tjetër vatër aktive është ajo në Malin e Dajtit, në qarkun Tiranë, ku zjarri vijon në pyll ahu dhe shkurre. Sipas autoriteteve, flakët nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara. Sot operacionit pritet t’i shtohen rreth 50 forca ushtarake. Vatrat në Kryezi, Malin e Bërzhitës dhe Malin me Gropa janë nën mbikëqyrje.
Situata vijon të jetë aktive edhe në qarkun Dibër, ku raportohet për vatra në Vajkal të Bulqizës, Lundre–Madhesh në Mat, Qafën e Helmes dhe Cerrujë–Mali i Allushit në Klos. Edhe në këto zona, sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në Lundre–Madhesh do të angazhohen sot rreth 30 forca ushtarake.
Në qarkun Lezhë, zjarri në Gallatë të Kurbinit vijon aktiv në një terren të vështirë, por pa rrezik për banesat. Operacioni më i gjerë po zhvillohet në aksin Kalivaç–Zimaj–Kashnjet, ku gjatë ditës së djeshme u angazhuan rreth 100 forca vendore e vullnetare dhe 124 efektivë të Forcave të Armatosura, së bashku me mjete zjarrfikëse, autoambulanca dhe një helikopter. Sot operacioni do të vijojë me rreth 50 forca ushtarake.
Në Elbasan, aktive mbetet vatra në Gurëshpatë të Librazhdit, ndërsa Mali i Qukësit është nën mbikëqyrje. Në Vlorë, zjarri në Qesarat–Mali i Malinës, në Finiq, vijon aktiv dhe është ndërhyrë edhe me helikopter, por pa rrezik për zonat e banuara. Në Fier, vatra në Çërrilë të Mallakastrës është aktive dhe sot do të mbështetet me rreth 30 forca ushtarake, ndërsa Peshtani mbahet nën mbikëqyrje.
Në total, në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar gjatë 24 orëve të fundit 697 forca operacionale vendore e lokale dhe 68 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë kontribuar me 314 efektivë, 8 automjete zjarrfikëse, një autobot, 29 mjete, 5 autoambulanca dhe një dron, ndërsa janë realizuar edhe katër operacione me helikopterë.
Për ditën e sotme parashikohet vijimi i angazhimit të rreth 252 forcave ushtarake, 28 automjeteve, dy autoambulancave dhe një droni.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin, ku prioritet mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurisë së tyre.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




