Zjarret në vend, Ministria e Mbrojtjes: 4 vatra aktive, s’ka rrezik për zonat e banuara. Vijojnë flakët në Dajt, në Tërbun të Pukës situata nën kontroll

Aktualitet | 2 muaj më parë

Ministria e Mbrojtjes ka bërë përditësimin e fundit mbi situatën e zjarreve në vend, duke njoftuar se deri në orën 14:00 të kësaj të mërkure (19 gusht) janë regjistruar 6 vatra zjarri. Katër prej tyre mbeten aktive, ndërsa dy janë nën monitorim.

Në terren janë angazhuar 126 forca operacionale vendore, ndërsa Forcat e Armatosura vijojnë mbështetjen e operacioneve me 90 efektivë dhe dy helikopterë të Forcës Ajrore.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, vatrat kryesore aktive janë në Dajt dhe Priskë të Tiranës, Lufaj të Mirditës dhe Tërbun të Pukës.

Në Dajt, operacioni vijon me 50 efektivë të Forcave të Armatosura, 15 forca të MZSH-së dhe 5 forca të AZM-së. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Priskë, forcat e MZSH-së po vijojnë ndërhyrjen pas riaktivizimit të vatrës. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.

Në Lufaj të Mirditës, zjarri mbetet aktiv me intensitet të ulët. Në terren ndodhen 8 forca të Shërbimit Pyjor dhe 4 zjarrfikës, të mbështetur nga një automjet zjarrfikës. Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Ndërkohë, në Tërbun të Pukës, operacioni vijon me forcat në terren, të angazhuara për hapjen e korridoreve ndarëse, pas përfundimit të ndërhyrjes nga ajri. Situata konfirmohet nën kontroll dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Përmirësim i situatës raportohet edhe në Gurë-Lurë, ku zjarri është shuar dhe zona vijon të mbahet nën monitorim. Në Qafë Helmes, vatra është izoluar, ndërsa operacionet vijojnë me angazhimin e forcave lokale.

Strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjen në terren. Sipas përditësimit të Ministrisë së Mbrojtjes, situata në territorin e vendit paraqitet përgjithësisht e stabilizuar dhe aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme