Zjarret në vend- Ministria e Mbrojtjes: Nga 28 vatra, vetëm 2 aktive. Sot pritet nivel rreziku i lartë në 7 qarqe

Aktualitet | 1 vit më parë

28 vatra zjarri u raportuan në vendin tonë gjatë 24 orëve të fundit, ku vetëm 2 prej tyre vijojnë të mbeten aktive.

Ministri e Mbrojtjes raporton se dy vatrat që vijojnë të jenë ende aktive, pavarësisht ndërhyrjeve  me automjete zjarrfikëse, janë vendgrumbullimi i mbetjeve në Elbasan dhe një sipërfaqe me shkurre dhe barishte në Finiq.

Në të gjitha operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 32 automjete zjarrfikëse dhe 255 forca operacionale.

Ministria e Mbrojtjes, duke iu referuar parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave, ngre alarmin për 7 qarqe, konkretisht qarkun Shkodër, Kukës, Lezhë, Durrës, Tiranë, Berat dhe Fier, duke theksuar se gjatë ditës së sotme pritet nivel rreziku i lartë.

Ndërsa për 5 qarqet e tjera, pritet nivel rreziku i moderuar, pasi temperaturat, theksohet në njoftim, pritet të arrijnë në 40 gradë celcius.

“Bazuar në parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave, sot pritet nivel rrezik “I LARTË” në qarqet Shkodër, Kukës, Lezhë, Durrës, Tiranë, Berat dhe Fier, ndërsa në qarqet e tjerë pritet nivel rrezik “I MODERUAR”. Ndërsa temperaturat maksimale pritet të arrijne deri në 40 gradë Celsius”, thuhet në njoftim.

Ministri u ka bërë thirrje qytetarëve që në këto ditë me temperatura të larta dhe rrezik të shtuar për zjarre, të tregojnë kujdes maksimal dhe përgjegjshmëri.

“Të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr, si ndezja e zjarreve në ambiente të hapura, djegia e mbetjeve apo hedhja e objekteve të ndezshme në natyrë.”, nënvizon ministria.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme