Zjarri në Shkozet nën kontroll, Drejtori Troplini: Zjarrfikësit në kujdes mjekësor, një efektiv ende në spital

Aktualitet | 3 muaj më parë

Pas zjarrit masiv që përfshiu një magazinë në zonën e Shkozetit, drejtori i MZSH Durrës, Shkëlqim Troplini, ka dhënë një prononcim të gjatë për median, duke sqaruar gjendjen aktuale dhe masat e marra nga shërbimi zjarrfikës.

Troplini bëri me dije se në vendngjarje vijojnë të qëndrojnë efektivë të zjarrfikësve, pasi ende ka disa vatra të vogla që po mbahen nën monitorim.

“Zjarri përfundoi që në orët e para të mëngjesit. Sot kemi disa vatra të vogla që po mbahen nën kontroll nga një grup i shërbimit zjarrfikës, të cilët janë të stacionuar aty. Mund të themi se është pothuajse i neutralizuar, zjarri ka përfunduar komplet,” u shpreh ai.

Sa i përket gjendjes së zjarrfikësve, Troplini tha se disa prej tyre patën shqetësime nga lodhja, vapa dhe prania e tymit, pasi tentuan disa herë të futen brenda për të shuar flakët.

 “Momentalisht të gjithë kanë marrë ndihmën e parë dhe kanë dalë. Vetëm një person ka pasur disa probleme shëndetësore dhe po i nënshtrohet vizitave më të specializuara; shpresojmë që edhe ai gjatë ditës do të jetë jashtë spitalit,” shtoi drejtori.

Një ditë pas zjarrit, Policia njoftoi arrestimin e pronarit të magazinës, ndërsa vatra mbetet ende e nxehtë. Zjarrfikësit vijojnë të qëndrojnë në gatishmëri për të ndërhyrë në rast të riaktivizimit të flakëve.

Ai tha se një veprim rutinë për djegien e kartonëve dhe barishteve pranë një magazine në Shkozet u kthye në një zjarr me pasoja të rënda për Durrësin dhe zonat përreth.

“ Dyshimet fillestare ishin për barishte, mbeturina dhe shkurre, por më pas u konstatua se flakët kishin përfshirë edhe një magazinë. Dyshimet janë se pronari i mallit mund të ketë djegur ambalazhe dhe barishte të ndryshme. Mund të bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme, por mund të jetë edhe nga pakujdesia. Megjithatë, grupi i ekspertizës ende nuk ka dalë me përfundim, kështu që do të presim rezultatet e tyre për të qenë të saktë,” deklaroi Troplini.

Në përfundim të prononcimit, drejtori i zjarrfikësve falënderoi efektivët për përkushtimin dhe sakrificën e treguar gjatë orëve të gjata të përballjes me flakët, duke theksuar se puna e tyre ka qenë vendimtare për neutralizimin e zjarrit dhe shmangien e pasojave më të rënda.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme