Zjarri përfshin Gryk-Lumin e Lezhës, digjen 2 hektarë me pemë frutore

Aktualitet | 2 muaj më parë

Një zjarr i përmasave të konsiderueshme përfshiu pasditen e sotme një zonë në Grykë-Lumit të Njësisë Administrative Shënkoll në Lezhë, duke shkaktuar dëme të mëdha në pemët frutore.

Flakët u konstatuan rreth orës 14:30 dhe, sipas të dhënave paraprake, dyshohet se zjarri mund të ketë ardhur si pasojë e djegies së mbetjeve bujqësore në tokat pranë zonës.

Zjarri u përhap me shpejtësi dhe preku një sipërfaqe prej rreth dy hektarë me pemë frutore.

Menjëherë pas konstatimit të flakëve, banorët dhe familjarët e zonës u angazhuan për të frenuar përhapjen e tyre, duke përdorur edhe bote uji të transportuara me traktorë.

Situata u bë më e rrezikshme kur flakët iu afruan një banese dykatëshe në pronësi të shtetasit Gjok Vata. Ndërhyrja e banorëve dhe më pas e shërbimit zjarrfikës bëri të mundur izolimin e zjarrit dhe shmangien e përfshirjes së banesës nga flakët.

Nga ngjarja raportohet për dëme të konsiderueshme në pemët frutore, ndërsa fatmirësisht banesa u shpëtua. Për rastin kanë nisur hetimet, me grupin hetimor që po punon për përcaktimin e saktë të shkakut dhe rrethanave të rënies së zjarrit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme