Zjarri përhapet në ishullin kroat, qindra banorë dhe turistë u evakuuan përmes detit
Në Kroaci, Qendra e Koordinimit të Shpëtimit Detar në Rijekë në bashkëpunim me autoritetet portuale të Splitit, koordinoi një operacion të madh shpëtimi dhe evakuimi përmes detit pas raportimeve për një numër të madh njerëzish që përpiqeshin të shpëtonin nga një zjarr masiv që përparonte drejt vendbanimit bregdetar të Milnës.
Operacioni nisi mbrëmjen e së shtunës dhe përfundoi në orët e para të së dielës, ndërsa dy persona u raportuan të plagosur të lehtë. Mediat kroate raportuan se disa shpëtimi morën pjesë në evakuimin e të paktën 700 personave, ndërsa 4 avionë Canadair iu bashkuan ekipeve të zjarrfikësve për të vënë flakët nën kontroll.
Kapiteneria e Portit të Splitit bëri me dije se u evakuuan rreth 200 persona, përfshirë fëmijë e të moshuar, pasi u gjendën përballë një situate të rrezikshme nga përhapja e shpejtë e flakëve, ndërsa anijet turistike evakuuan rreth 500 persona të tjerë Më herët gjatë ditës, banorëve u ishte thënë të qëndronin të përgatitur për një evakuim të mundshëm.
Situata u përkeqësua të shtunën vonë ndërsa zjarri u intensifikua dhe erërat e forta ndryshuan drejtimin e flakëve, duke vënë edhe zjarrfikësit në vështirësi. Sipas autoriteteve lokale më shumë se 3 mijë hektarë sipërfaqe me kullota, shkurre dhe pisha janë shkrumbuar deri tani nga zjarri që kishte shpërthyer që të enjten.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




