Zjarri te “5 Maji”, Policia e Tiranës: Shkak i dyshuar, një shkëndijë elektrike

Policia e Tiranës ka njoftuar zyrtarisht se zjarri i rënë në një magazinë rrobash në zonën “5 Maji” në Tiranë po hetohet si aksidental, i shkaktuar nga një shkëndijë elektrike.
Sipas njoftimit të Policisë, dyshohet se një shkëndije elektrike ka shkaktuar zjarrin në kapanonet e tregut të njohur ndryshe si ish-tregu “Uzina Dinamo”. Si pasojë e flakëve janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe në mallra.
“Më datë 08.01.2026, në rrugën “Ferit Xhajko”, dyshohet se, si pasojë e një shkëndije elektrike, ka rënë zjarr në kapanonet e tregut të njohur ndryshe si ish-tregu “Uzina Dinamo”, ku për pasojë ka patur dëme të konsiderueshme në mallra dhe dëme materiale. Nën drejtimin e Prokurorisë u kryen veprimet procedurale dhe dyshohet se shkaku i rënies së zjarrit ka qenë aksidental. Materialet u referuan në Prokurori për hetime të mëtejshme”, njofton policia.
Zjarri, që ra mbrëmjen e 8 janarit, u përhap me shpejtësi për shkak të materialeve tekstile dhe plastike që ndodheshin në magazinë, duke shkaktuar flakë të mëdha dhe re të dendura tymi në zonë.
Në operacionin për shuarjen e flakëve u angazhuan 72 efektivë të shërbimit zjarrfikës dhe 13 mjete zjarrfikëse nga Tirana, Vora, Kamza dhe Elbasani. Ndërhyrja e tyre bëri të mundur izolimin dhe shuarjen e zjarrit, duke shmangur përhapjen e tij në objekte të tjera.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




