“Zoja e Këshillit të Mirë” në Venecia, dokumentari i Gjon Kolndrekajt prezantohet në Festivalin e Filmit

Kulturë | 2 muaj më parë

Historia e Zojës së Këshillit të Mirë, që sipas traditës u largua nga Shkodra dhe mbërriti në Genazzano të Italisë, vjen në dokumentarin e ri të regjisorit Gjon Kolndrekaj, “Përtej murit. Zoja e Këshillit të Mirë”. Dokumentari u prezantua në Venecia, në kuadër të një eventi special të Festivalit të 83-të Ndërkombëtar të Filmit.

Regjisori Gjon Kolndrekaj thotë se historia e ikonës përcjell një mesazh shprese dhe njëkohësisht dëshmon lidhjet e hershme mes Shqipërisë dhe Italisë.

“Kombi shqiptar ka dhënë personalitete të forta. Për këtë arsye, shumë prej Perëndimit nuk e dinë këtë histori. Për atë arsye, kjo histori është shumë e rëndësishme për popullin e Perëndimit. Se ky film, me anë të Rajit dhe me anë të televizioneve të tjera të botës, do të shpërndahet në tërë botën dhe kësisoj bota do ta kuptojë çfarë rëndësie ka një element fetar për sa i përket antropologjisë politike”, tha regjisori.

Për rëndësinë shpirtërore dhe historike të Zojës së Këshillit të Mirë flet edhe Arqipeshkëvi i Arqidioqezës Shkodër-Pult, Imzot Giovanni Peragine.

“Besoj që dokumentari që sapo kemi parë tregon akoma më shumë se është e lidhur devocioni, devotshmëria që populli shqiptar ka pasur e ka për figura, për Zonjë Këshill të Mirë. Si dokumentar ka theksuar, e ne kemi theksuar shpesh, nuk është veç një devotshmëri, por është diçka që është krejtësisht e lidhur edhe me historinë e shqiptarëve”, tha ai.

Dokumentari sjell një udhëtim në gati gjashtë shekuj histori, nga Shkodra drejt Italisë. Skenari është shkruar nga Pal Kolndrekaj, ndërsa vepra është prodhuar nga CrossinMedia në bashkëpunim me Rai Documentari.

Gazetar: M. Gjini

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme