Zyrë e re informacioni turistik në Shkodër, do të ofrojë shërbim tradicional dhe digjital si dhe do të promovojë ofertat lokale
Të orientosh turistët që mbërrijnë në Shkodër, por edhe t’u ofrosh atyre mundësi për të vizituar destinacionet turistike, ky është qëllimi i investimit që po realizohet nga bashkia në qendër të qytetit për ngritjen e një zyreje të re dhe moderne të informacionit turistik.
Qendra do të funksionojë me personel të dedikuar, por edhe përmes shërbimeve digjitale, duke u mundësuar vizitorëve informacion të shpejtë mbi destinacionet, aktivitetet turistike dhe shërbimet që mund të përdorin gjatë qëndrimit në Shkodër.
“Një ndër investimet kryesore tashmë është edhe zyra e informacionit turistik që po bëhet në qendër të Shkodrës. Ajo do të jetë një zyrë moderne që shumë shpejt do të jetë në funksion, do të ketë shërbim gjatë gjithë ditës, do të ketë informacion për të gjitha pikat turistike, ku ofrohet gjithë ky informacion për turistët falas, ku ata kanë mundësi të marrin informacion si nga ana dixhitale, por ashtu edhe nga ana e, po themi ne, e broshurave apo guidave të printuara”, tha Renato Lumçi, Drejtor i Turizmit, Bashkia Shkodër.
Një hapësirë e veçantë në qendrën e re te informimit turistik do të jetë edhe për operatorët vendorë, të cilët do të kenë mundësi të prezantojnë dhe promovojnë ofertat dhe paketat e tyre, duke e kthyer zyrën në një pikë lidhëse mes turistëve dhe shërbimeve turistike lokale.
“Risi tashmë është edhe bashkëpunimi me të gjithë operatorët, ku do të jetë një kënd i posaçëm për brenda në zyrë për një informacion për të gjithë operatorët turistikë që janë të regjistruar në Bashkinë Shkodër dhe kanë dëshirë të japin informacion për biznesin e tyre, për të gjitha shërbimet që ata ofrojnë”, tha ai.
Kjo do të jetë zyra e dytë e informacionit turistik e Bashkisë së Shkodrës. Një tjetër pikë e tillë funksionon në Theth, një prej destinacioneve më të frekuentuara të turizmit malor në veri të vendit.
Gazetar: A.Hoti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




