1/3 e punonjësve janë të vetëpunësuar. INSTAT: Sektorët e vetëpunësimit janë në bujqësi, shitje me pakicë dhe shërbime familjare

Ekonomi | 12 muaj më parë

Numri i të vetëpunësuarve në vend është rritur ndjeshëm në tremujorin e dytë të vitit 2025, duke arritur nivelin më të lartë që prej tremujorit të tretë të vitit 2022. Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, vetëpunësimi për periudhën prill–qershor 2025 arriti në 31.3% të totalit të punësuarve.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, treguesi është rritur me 0.7 pikë përqindje. Vetëpunësimi vijon të jetë “punëdhënësi” më i madh në ekonominë shqiptare, si dhe një nga më të lartët në Europë.

Të dhënat tregojnë se gati një e treta e punonjësve shqiptarë punojnë për llogari të tyre.

Shumica e të vetëpunësuarve shqiptarë janë të angazhuar në bujqësi, tregti të vogël dhe shërbime familjare.

Një pjesë e madhe e tyre operojnë në sektorin informal, pa mbrojtje ligjore dhe pa të drejtë pensioni të garantuar.

Pavarësisht peshës së madhe në ekonomi, rreth gjysma e tyre nuk kontribuojnë rregullisht në sigurimet shoqërore.

Ndërsa në Bashkimin Evropian vetëpunësimi lidhet me profesione të lira dhe sektorë me vlerë të lartë, në Shqipëri ai mbetet kryesisht një zgjedhje e detyruar. Mbyllja e disa bizneseve në industrinë e prodhimit ka çuar në rritjen e mëtejshme të numrit të vetëpunësuarve në vend.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme