100 fëmijë nga Gaza pritet të evakuohen në Britani për kujdes mjekësor urgjent

Më shumë se 100 të mitur të sëmurë rëndë dhe të plagosur në Gaza pritet të dërgohen në Mbretërinë e Bashkuar, pasi njoftimit të skemës nga qeveria për t’u ofruar kujdes NHS atyre që janë në nevojë të madhe.
Qeveria njoftoi të dielën se do të evakuojë fëmijët nga Gaza në Mbretërinë e Bashkuar për trajtim sipas një skeme që do të shpallet brenda disa javësh.
Ndërsa aktivistët e mirëpritën njoftimin, ata i kërkuan ministrave të vepronin shpejt, duke thënë se fëmijët që prisnin kujdes urgjent mjekësor në Mbretërinë e Bashkuar kishin humbur jetën duke pritur, ose ishin detyruar të evakuoheshin për të marrë ndihmë mjekësore në vende të tjera.
“Më parë kemi pasur fëmijë në listë, por për shkak se miratimi zgjat shumë, disa prej këtyre fëmijëve kanë vdekur. Qeveria duhet të veprojë me ritmin e duhur”, tha Omar Din, bashkëthemelues i Projektit Pure Hope (PPH) dhe ekzekutiv i kujdesit shëndetësor në kujdesin parësor të NHS-së.
Përmes një skeme private, organizata bamirëse ka dërguar tre fëmijë në Mbretërinë e Bashkuar gjatë këtij viti.
Vendimi i Britanisë për t’u ofruar si shtet pritës, vjen në një kohë kur uria dhe zia e bukës nga bllokada e ndihmës së Izraelit po përhapen në Gaza, ku më shumë se 50,000 palestinezë janë vrarë që nga 7 tetori.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka vlerësuar se deri në 12,500 pacientë në Gaza kanë nevojë për evakuim mjekësor, dhe organizatat humanitare u kanë bërë thirrje më shumë vendeve për të ndihmuar.
Organizatat bamirëse shpresojnë se rreth 100 fëmijë në listat e tyre ekzistuese do të lejohen të dërgohen në Mbretërinë e Bashkuar, së bashku me një kujdestar.
PPH i ka thënë qeverisë se ka midis 30 dhe 50 fëmijë që duhet të dërgohen në Britani, ndërsa organizata bamirëse Children Not Numbers (CNN) ka 60 fëmijë që kanë nevojë kritike për evakuim mjekësor nga Gaza.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




