11 Maji/ KQZ hedh shortin, 210 kuti votimi brenda dhe jashtë vendit i nënshtrohen verifikimit paszgjedhor

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zhvilloi këtë të enjte, 20 nëntor, në seancë publike, shortin për përzgjedhjen në mënyrë rastësore të qendrave të votimit dhe kutive të votimit nga jashtë vendit që do t’i nënshtrohen procesit të verifikimit paszgjedhor.
Verifikimi paszgjedhor zhvillohet vetëm pasi janë shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 11 majit 2025 dhe janë përmbyllur të gjitha procedurat ankimore.
Qëllimi i këtij procesi është verifikimi i rregullsisë dhe saktësisë së administrimit të procesit zgjedhor, përfshirë këqyrjen e fletëve të votimit dhe materialit zgjedhor, si dhe vlerësimin e korrektësisë së numërimit të votave.
Në total u përzgjodhën rastësisht 5% e qendrave të votimit për çdo KZAZ, si dhe 5% e kutive të votimit nga votimi jashtë vendit.
Në zgjedhjet e 11 majit 2025 u administruan gjithsej 6 184 kuti votimi, prej të cilave 5 225 kuti të Qendrave të Votimit brenda vendit dhe 959 kuti të votimit nga jashtë vendit (KAVJ).
Nga këto, shorti përfshiu 3 101 kuti votimi brenda vendit dhe 874 kuti votimi nga jashtë vendit. Nga përzgjedhja rezulton se do t’i nënshtrohen verifikimit paszgjedhor 210 kuti votimi në total.
Kutitë që janë rinumëruar gjatë procesit të ankimimeve, si dhe ato që janë nën hetim penal ose në proces sekuestrimi, nuk u përfshinë në short.
Përzgjedhja u krye për çdo qark dhe për çdo KZAZ veçmas, duke respektuar parimin e trajtimit të barabartë të të gjitha zonave zgjedhore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




