13 gushti, dita me konsumin më të lartë të energjisë në vend për 2025-ën

Konsumi i energjisë elektrike në Shqipëri ka shënuar rritje të konsiderueshme gjatë këtij viti, duke arritur kulmin më 13 gusht 2025. Kjo ditë është regjistruar si dita me konsumin më të lartë të energjisë në vend, duke tejkaluar edhe 31 dhjetorin, që tradicionalisht mbante rekordin.
Konsumi i energjisë në 2025 është rritur me 2.2% krahasuar me vitin 2024, ndërsa në raport me vitin 2023 shënon një rritje prej 10.3%. Mesatarja ditore e konsumit këtë vit ka qenë 20,856 megavat orë, kundrejt 20,610 megavat orë në vitin e kaluar.
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, theksoi se rritja e konsumit gjatë sezonit veror lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin e turizmit dhe rritjen ekonomike të vendit.
“Furnizimi me energji, edhe në zonat me interes të lartë turistik, ka vijuar të jetë në standardet më të mira. Pavarësisht sfidave të sezonit, përfshirë zjarret që rrezikuan disa stacione dhe linja shpërndarjeje, sistemi ka funksionuar pa ndërprerje,” u shpreh Balluku.
Një tjetër tregues pozitiv është ulja e humbjeve teknike në rrjet, të cilat në vitin 2025 kanë zbritur në 1.45%, duke kursyer rreth 21,699 megavat orë energji.
Sipas ministres, këto rezultate tregojnë përmirësim të vazhdueshëm të menaxhimit të rrjetit dhe garanci më të lartë për furnizim të qëndrueshëm me energji për të gjithë abonentët në vend.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




