179-vjetori i lindjes së poetit Naim Frashëri, “Ditët Naimjane” janë kthyer në një traditë për Përmetin
Në këtë përvjetor të rëndësishëm, Shtëpia Muze e Vëllezërve Frashëri u bë qendër e aktiviteteve kulturore, ku u mbajt Konferenca Kombëtare kushtuar trashëgimisë së jashtëzakonshme të Abdylit, Naimit dhe Samiut – tre shtyllave themelore të identitetit kombëtar shqiptar.
Prof. Paskal Milo solli një reflektim të thellë filozofik, duke bërë një paralelizëm mes mendimit rilindës të Sami Frashërit dhe letërsisë botërore moderne.
“Të rifreskohet memoria kombëtare e shqiptarëve, se nga ky vend kanë dalë emra të mëdhenj të Rilindjes Kombëtare, të atyre që ne i kemi quajtur vizionarë të Shqipërisë që kemi sot,” tha historiani.
“Dua t’i siguroj të gjithë pjesëmarrësit se Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave do të angazhohet në mënyrë që Frashërit t’i jepet vendi i merituar si një qendër kombëtare pelegrinazhi, por edhe si një destinacion turistik me vlera të shumta natyrore, kulturore dhe historike,” u shpreh Ethem Ruka, president i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave.
“I falënderojmë në të gjitha kohërat për arsyen se vlera dhe vepra e tyre është e shkëlqyer. Na kanë frymëzuar për punë të mira, që të bëjmë për kombin, njeriun dhe atdheun,” tha kryegjyshi bektashian Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Ndërsa historiani Kastriot Bezati vuri theksin te Kuvendet Kombëtare të Frashërit si gurthemel i vetëdijes kombëtare dhe rolin e Abdyl Frashërit si arkitekt i shtetit të parë modern shqiptar. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e Naimit si mësues i popullit dhe i shpirtit kombëtar.
Vëllezërit Frashëri mbeten krenaria e kombit, trinomi që bashkon historinë, kulturën dhe letërsinë shqiptare në një trashëgimi të përjetshme.
Gazetare: L. Koçiu
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




