Buxheti 2027, Hoxha: 3.9 miliardë lekë për Ministrinë e Jashtme. Synojmë mbylljen e negociatave me BE-në deri në dhjetor 2027

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, prezantoi në Komisionin Parlamentar për Evropën dhe Punët e Jashtme projektbuxhetin e vitit 2027 për institucionin që drejton. Buxheti i parashikuar është 3.9 miliardë lekë, ose rreth 40 milionë euro, me një rritje prej 6% krahasuar me vitin 2026.
Gjatë prezantimit, Hoxha e cilësoi buxhetin si rekord, duke theksuar se ai shoqërohet edhe me përgjegjësinë për të arritur rezultate konkrete. Nga fondi total, 1.3 miliardë lekë do të përdoren për fuqizimin e përfaqësive diplomatike shqiptare.
“Kemi një buxhet rekord, por edhe një përgjegjësi të madhe për të arritur rezultate konkrete. Buxheti i parashikuar për vitin 2027 për Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme është 3.9 miliardë lekë, ose rreth 40 milionë euro, me një rritje prej 6% krahasuar me vitin 2026. Nga buxheti i parashikuar, 1.3 miliardë lekë do të angazhohen për fuqizimin e përfaqësive tona diplomatike”, tha Hoxha.
Ministri u shpreh se viti 2027 ka një rëndësi të veçantë për Shqipërinë, pasi objektivi kryesor mbetet përmbyllja e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian.
“Viti 2027 ka një peshë të veçantë, Shqipëria synon mbylljen e negociatave me BE dhe deri sot po i përmbahemi kësaj ambicie në mënyrë rigoroze. Po propozojmë një investim në kapacitetin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe në përgatitjen e saj duke patur që sot mendësinë e të qenit vend anëtar i BE. Përparësitë janë ndarë në 9 çështje kryesore. E para integrimi europian dhe përmbyllja e negociatave. Objektivi ynë është që fazën e fundit ët procesit teknik ta përmbyllim deri në dhjetor të 2027, çka na le kohë të bëjmë më pas pjesën tjetër, dhe të bëjmë të mundur që Shqipëria të hyjë në BE brenda kësaj dekade”, tha Hoxha.
Prioritetet e Ministrisë për vitin e ardhshëm janë ndarë në nëntë çështje kryesore. Krahas integrimit evropian, në fokus do të jetë siguria në hapësirën euroatlantike dhe roli i Shqipërisë në NATO, si dhe mbështetja për shqiptarët në rajon dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor.
“Përparësia e dytë ka të bëjë me sigurinë në hapësirën Euroatlantike dhe rolin e Shqipërisë në NATO. Do të vijojmë kontributin aktiv në sigurinë kolektive, do të vijojmë operacionet e aleancës. Prioriteti i tretë ka të bëjë me shqiptarët në rajon dhe me stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, me marrëdhëniet dy dhe shumëpalëshe në rajonin tonë. Do të forcojmë bashkëpunimin dhe koordninimin dhe ndihmën e pakufizuar dhe të gjithanshme për Kosovën”, theksoi Ministri.
Ndër prioritetet e tjera Hoxha renditi forcimin e partneriteteve strategjike dhe marrëdhënieve dypalëshe, diplomacinë shumëpalëshe dhe rritjen e profilit ndërkombëtar të Shqipërisë.
“Shqipëria beson te bashkëpunimi ndërkombëtar, te e drejta ndërkombëtare dhe do të vijojmë angazhimin në OKB, OSBE, KE, si për sigurinë, të drejtat e njeriut dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Diplomacia ekonomike nuk është më thjesht një slogan. Do të mundohemi të kapitalizojmë maksimalisht që të mbështesim ekonominë tonë përmes potencialit ekonomik të diasporës”, tha Hoxha.
Një vend të veçantë në planin e Ministrisë zë edhe diaspora dhe ruajtja e identitetit kombëtar. Sipas Hoxhës, do të zbatohet Strategjia Kombëtare e Diasporës, duke zgjeruar mësimin e gjuhës shqipe përmes nismës së re “Mësues për Italinë”, e cila do t’i shtohet programit “Mësues për Greqinë”.
Sa i përket shërbimit publik, ministri bëri të ditur se synohet zgjerimi i pranisë diplomatike, fizike aty ku kushtet e mundësojnë dhe virtuale në vendet ku ende nuk ka infrastrukturën e nevojshme. Një tjetër objektiv është modernizimi i shërbimeve konsullore, me synimin për t’i ofruar ato 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë.
Përparësia e nëntë lidhet me fuqizimin institucional të shërbimit të jashtëm. Hoxha theksoi se ligji i miratuar disa muaj më parë do të ndihmojë në profilizimin e karrierës diplomatike dhe forcimin e Akademisë Diplomatike, e cila do të ketë një rol të rëndësishëm në formimin e diplomatëve shqiptarë.
Gjithashtu, parashikohet hapja e përfaqësive të reja diplomatike dhe krijimi i Agjencisë së Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe të Ndihmës Humanitare, si një strukturë e re në aktivitetin ndërkombëtar të Shqipërisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




