211-vjetori i themelimit të Teqesë së Prishtës, përurohet shtatorja e Baba Tahir Prishtës

Aktualitet | 2 muaj më parë

Besimtarë të shumtë bektashinj iu drejtuan Teqesë së Prishtës në Skrapar, një prej pikave më të rëndësishme të përhapjes së besimit bektashi.

Më 18 gusht ishte një ditë e shënuar për komunitetin bektashian të trevës së Skraparit, pasi me rastin e pelegrinazhit tradicional u përurua shtatorja e Baba Tahir Prishtës dhe busti i Baba Ahmet Hajdarajt, ceremoni e cila u drejtua nga Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj.

“Në kohë të qeta, njerëzit gjithmonë kanë kërkuar ndihmë për dashurinë, për paqen, për mirësinë dhe për ngrohtësinë shpirtërore. Ata kanë synuar të marrin energji pozitive, duke u lidhur me vlerat më të larta të jetës. Besimtarët kanë qenë gjithmonë pjesë e shkollave të diturisë. Aty mësohej jo vetëm për jetën, por edhe për udhëzimet e Babës, duke u bërë udhërrëfyes shpirtërorë për brezat. Ahmeti, i cili dha një kontribut të madh për gjuhën shqipe, së bashku me figurat e tjera të bektashizmit, kanë ndriçuar rrugën e Haxhi Bektashit. Të dy këta kolosë i kanë dhënë dritë dhe kuptim besimit tonë, duke e bërë atë një burim frymëzimi dhe mësimi. Ne, si pasues të tyre, mundohemi t’i kujtojmë, t’i rikujtojmë, por edhe të marrim mësime nga trashëgimia e tyre shpirtërore e kulturore. Ky kujtim nuk është thjesht një rit, por një mënyrë për të mbajtur gjallë dritën e tyre dhe për ta përcjellë tek brezat që vijnë,” – tha për RTSH Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve.

Ndërtimi i Teqesë së Prishtës mbart një histori të gjatë, që nga ndërtimi i saj në vitin 1815 në vendin e quajtur “Kisha”.

Përfaqësuesi i parë i bektashinjve të Prishtës ishte Baba Tahiri nga fisi i Kotobellëve, i cili themeloi edhe teqenë e parë, pasi erdhi nga Kreta.

Kjo teqe u rihap në vitin 2004 dhe që prej asaj kohe ka rikthyer traditën e pelegrinazhit, duke pritur çdo vit besimtarë të shumtë.

Një prej periudhave më të rëndësishme lidhet me fillimin e shekullit XX, kur teqeja u bë një nga bazat e veprimtarisë patriotike në zonën e Skraparit.

Në vitin 1906, autoritetet osmane bastisën teqenë, ku u gjetën libra dhe abetare në gjuhën shqipe. Baba Ahmeti u arrestua dhe më pas u vra në burgun e Janinës.

Gazetare: E. Hasanbelli

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme