Protesta/ Arrestohen 6 persona, procedohen 3 të tjerë dhe shpallen në kërkim 2, pas dhunës ndaj policisë
Policia e Shtetit ka arrestuar gjashtë shtetas, ka proceduar penalisht tre të tjerë dhe ka shpallur në kërkim dy persona, pas akteve të dhunës të kryera gjatë tubimit të zhvilluar dje në Tiranë. Sipas njoftimit zyrtar, demonstruesit kundërshtuan dhe goditën me sende të forta, lëndë piroteknike, bomba molotov, sfera dhe vida metalike punonjësit e Policisë, bllokuan qarkullimin e mjeteve dhe dogjën kazanë mbeturinash.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin ligjor të këtyre veprimeve, u arrestuan A. Sh., 26 vjeç, L. K., 18 vjeç, F. Ç., 38 vjeç, K. R., 35 vjeç (shtetas i huaj), si dhe dy shtetas të mitur. Gjatë kontrolleve, shtetasve L. K. dhe A. Sh. iu gjetën dhe iu sekuestruan bomba molotov.
Përveç të arrestuarve, policia ka proceduar penalisht tre shtetas të tjerë dhe ka shpallur në kërkim dy persona të tjerë të përfshirë në ngjarje. Specialistët e Hetimit të Krimit, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë, po vazhdojnë veprimet për dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprat penale “Vrasja e punonjësit të Policisë”, e mbetur në tentativë, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Policia thekson se hetimet janë në vazhdim dhe se do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për të sjellë para drejtësisë të gjithë personat e përfshirë në këto akte dhune.
Njoftimi i plotë: Tiranë / Kundërshtuan dhe goditën me sende të forta, lëndë piroteknike, bomba molotov, sfera dhe vida metalike punonjësit e Policisë, bllokuan qarkullimin dhe dogjën kazanë mbeturinash; arrestohen 6 shtetas, procedohen penalisht 3 të tjerë dhe shpallen në kërkim 2.
Sekuestrohen bomba molotov.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin ligjor të akteve të dhunës gjatë tubimit të zhvilluar ditën e djeshme, u arrestuan shtetasit:
A. Sh., 26 vjeç, L. K., 18 vjeç, F. Ç., 38 vjeç, K. R., 35 vjeç (shtetas i huaj), si dhe 2 shtetas të mitur.
Gjithashtu, u proceduan penalisht 3 shtetas dhe u shpallën në kërkim 2 të tjerë.
Gjatë kontrolleve, shtetasve L. K. dhe A. Sh. iu gjetën dhe iu sekuestruan bomba molotov.
Specialistët për Hetimin e Krimit, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme të kryera gjatë tubimit, identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprat penale “Vrasja e punonjësit të Policisë”, e mbetur në tentativë, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



