22 Marsi- Basha: Sfida më e madhe e PD-së ngelet rikthimi i besimit dhe i shpresës së fillimeve

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi të shtunën se nevoja për një 22 mars të dytë është një domosdoshmëri që motivon PD-në për të rikthyer entuziazmin e fillimeve dhe e shtyn për një fitore me të gjithë popullin shqiptar”.
“32 vite më parë, Partia Demokratike e Shqipërisë arriti fitoren më të madhe në historinë e pluralizmit shqiptar. Me SHBA-të në krah dhe me nevojën dhe dëshirën e popullit për t’u shkëputur nga e kaluara, ajo arriti të bëhet promotor i ndryshimit dhe mekanizëm i aspiratave të njerëzve”, shkruan Basha në një postim në rrjetet sociale.
Sipas tij, përtej kësaj fitoreje, arritjet më të mëdha të viteve të pluralizmit mbajnë firmën e PD-së, por, njëkohësisht, vlen edhe reflektimi se historia është aty për të na dëshmuar dhe për të gjykuar për ato që nuk u bën mirë, për ato që u bën keq dhe për të tjera që do duheshin të bëheshin ndryshe.
“Ndaj sot sfida më e madhe e Partisë Demokratike të Shqipërisë ngelet rikthimi i besimit dhe shpresës së fillimeve, ku idealizmi dhe entuziazmi i atyre viteve ka nevojë të ri-ndizet edhe një herë. Kjo është beteja jonë dhe arsyeja për të cilën do punojmë dhe po punojmë përditë. Ëndrra e shqiptarëve për Liri dhe Demokraci ngelet më aktuale se kurrë. Vetëm një PD për njerëzit dhe me njerëzit mund ta bëjë ëndrrën e tyre realitet”, shkruan Basha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




