“Sa na ndihmon, aq është edhe e rrezikshme”, Drejtori i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike: IA po përdoret edhe për dezinformim

Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Bledar Kazia, ka folur sot në Konferencën Kombëtare për Sigurinë Kibernetike 2026, ku ka vënë theksin te avancimi i aktorëve keqdashës, rreziqet që sjell përdorimi i Inteligjencës Artificiale dhe nevoja për forcimin e mbrojtjes kibernetike.
Gjatë fjalës së tij, Kazia falënderoi institucionet dhe aktorët që kontribuojnë në sigurinë kibernetike, duke theksuar se kjo përgjegjësi nuk mund të përballohet nga një autoritet i vetëm.
“Sot shumica e linjës së parë të mbrojtjes janë këtu dhe dua t’i falënderoj për të gjithë punën që bëjnë, sepse sigurinë kombëtare nuk e ndërton dot një autoritet i vetëm.
Peizazhi i kërcënimeve nuk po ndryshon sa i përket Shqipërisë, por aktorët keqdashës po avancojnë, kjo falë dhe Inteligjencës Artificiale.
IA është pozitive, por ka edhe anën tjetër të medaljes sa i përket sigurisë. Aq sa na ndihmon, aq është edhe e rrezikshme për cenueshmërinë e këtyre sistemeve. Ajo që kemi vënë re është dhe përdorimi i AI në kuadër të dezinformimit”, tha Kazia.
Sipas tij, Autoriteti ka vazhduar investimet për të përshtatur edhe mbrojtjen, edhe reagimin, për sa i përket realitetit të ri ku gjendemi, jo vetëm në teknologji, por edhe në burime njerëzore.
“Autoriteti po hyn në një fazë përmirësimi edhe në kapacitetet e burimeve njerëzore, edhe në pjesën e trajnimit të të gjithë aktorëve që bëjnë pjesë në ekosistemin e sigurisë kibernetike.
Së bashku me Ministrinë e Arsimit kemi bërë të mundur futjen e sigurisë kibernetike si lëndë me zgjedhje në shkolla, në klasën e parë dhe të gjashtë.
Asgjë nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e partnerëve tanë, pa mbështetjen e SHBA-ve dhe gjej rastin të falënderoj edhe ambasadorin. Kanë qenë një ndihmë shumë e madhe.
Gjithashtu, dua të falënderoj BE-në, disa vende të BE-së dhe partnerë të tjerë që gjenden sot në këtë konferencë. Me të vërtetë janë shtylla më e fortë e avancimit që kemi, qoftë në teknologji, qoftë në burime njerëzore, qoftë në reagim.”, deklaroi Kazia.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




