Dronët mbi Danimarkë, kryeministrja Frederiksen: Nuk përjashtoj mundësinë e përfshirjes ruse

Disa orë pas raportimeve për dronë në hapësirën ajrore daneze, kryeministrja Mette Frederiksen nuk ka përjashtuar mundësinë se pas këtij akti qëndron Rusia.
Në një deklaratë të shkurtër për mediet, kryeministrja e konsideroi shkeljen e hapësirës ajrore si një sulm serioz ndaj infrastrukturës kritike daneze. Sipas saj, qëllimi ka qenë krijimi i trazirave dhe testimi i kufijve.
“Nuk mund ta përjashtoj mundësinë që të jetë Rusia. Kemi parë dronë mbi Poloni që nuk duhet të kishin qenë atje. Kemi parë aktivitet në Rumani. Kemi parë shkelje të hapësirës ajrore estoneze. Kemi parë sulme hakerash në aeroportet evropiane gjatë fundjavës. Tani ka pasur dronë në Danimarkë, dhe duket se ka pasur dronë edhe në Oslo dhe Norvegji.
Prandaj, mund të them vetëm se, sipas mendimit tim, ky është një sulm serioz ndaj infrastrukturës kritike daneze. Qëllimi mund të ketë qenë “të prishë dhe të krijojë trazira, shqetësim; të shohësh se sa larg mund të bësh dhe të testosh kufijtë“, deklaroi ajo.
Mbrëmjen e djeshme (22 shtator) fluturimet nga dhe drejt aeroportit më të madh të Danimarkës, aeroportit të Kopenhagenit, u pezulluan pas raportimeve për disa dronë të mëdhenj të parë në zonën përreth.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




