“26 vite asnjë referendum!” Dashamir Shehi për RTSH 24: Është shkalla superiore e demokracisë

Kreu i LZHK-së Dashamir Shehi i ftuar në studion e RTSH 24 ka folur për nismën e marr së fundmi prej tij dhe shoqërisë civile për projektligjin “Për referendumet”.
Duke treguar disa detaje mbi projektligjin, deputeti Shehi sqaroi se ai është gjykuar të ndahet në dy pjesë: referendumet kombëtare dhe lokale.
Sipas deputetit, referendumi është forma më e lartë e aplikimit të demokracisë të drejtpërdrejtë dhe është e drejta e popullit të marrë disa vendime.
Si propozues i projektligjit “Për referendumet”, a mund të ndani disa detaje çfarë parashikohet dhe si do të aplikohet?
Unë kam bërë prezantimi e kësaj nisme por ajo është një punë e bërë nga shoqëria civile. Ligji ka qëllim që të mbushi një boshllëk të Kushtetutës. Kushtetuta e pranon që shqiptarët të kenë të drejtë të deleguar sikurse jemi ne por dhe të asaj forme të një demokracie direkte, që ka të bëjë me referendume, qoftë lokale apo referendume kombëtare.
Duke mos pasur një ligj se si mund të realizohet një Referendum, për çfarë motivesh do bëhet, ku ndahet ai kombëtar apo ai lokal, kush janë procedurat, kush do ta administrojë , sa vota duhet të mblidhen, kush do të mbuloi kostot referendume. Pra janë një sërë problematikash që duhet të ishin bërë ligj me kohë sepse Kushtetuta jonë ka 26 vjet me të mirat dhe këqijat e saj.
Ndaj është ky projektligj që qytetarët shqiptar të kenë një armë tjetër që për të ushtruar demokracinë direket.
Ne kemi bërë tri herë referendume për tema më të mëdha. Kemi bërë referendumin e 1994 dhe 1998 për Kushtetutën apo dhe për formën e regjimit në 1997.
Ky ligj nuk ka të bëjë fare as me të majtën dhe as me të djathtën dhe na është dashur rreth dy vjet që të hyjë në komisionet parlamentare dhe shpresojmë që të marri miratimin e palëve.
Partia Socialiste, që është shumica, duhet ta kuptojë që referendumi është një instrument i demokracisë dhe nuk ka lidhje fare me zgjedhjet.
Në radhë të parë ne duhet të miratojmë principin për të pasur një ligj për referendume por çdo gjë tjetër për modalitetin, rregullat apo kujt duhet t’i referohemi mbetet për t’u diskutuar dhe ha debat.
Gjatë prezantimit të këtij projektligji ju jeni shprehur se ky është lënë në harresë sepse dikush frikësohet. Kujt i jeni referuar?
Po në radhë të parë frikësohet qeveria sepse populli mund ta ushtroi demokracinë direkt në disa çështje shumë të rëndësishme. P.sh. Po marrim temën e një çështje kombëtare që kanë të bëjnë me sistemet zgjedhore. Nëse partitë politike nuk bien dakord atëherë i drejtohemi popullit. Ja kjo është një temë kombëtare por po marr një shembull lumin e Valbonës apo Vjosës, a do të ndërtohet hidrocentrali këtu a jo?.
Referendumi është shkallë superiore e funksionimit të demokracisë. Pse Kushtetuta vendosen me referendum?! Sepse që mos ti ndryshojnë Parlamentet!
Z. Dule, z. Mediu dhe z. Duka kanë depozituar ditë më parë në Kuvend ku kërkonin ndryshime në Kodin Zgjedhor. Pse nuk ishin bashkuar ju kësaj nisme dhe a kishit një ftesë?
Po me këta zotërinjtë që ju më përmendët e kemi depozituar një propozim në muajin shtator. Në këtë projektligj kërkojmë 4 pika kryesore; Shqipëria të bëhet 3 apo 4 zona elektorale, pra një proporcional rajonal, së dyti; kemi kërkuar lista të hapura, së treti; Votim elektronik në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe së katërti; Votimi i emigrantëve.
Po çfarë ka ndodhur me këto propozime?
Janë aty dhe po presin, sikurse do presin dhe këto propozimet e këtyre zotërinjve të tjerë. Uroj që të shtyhen propozimet e tyre sepse do jetë një përmirësim i legjislacionit të sotëm. Ne së bashku me 33 deputet të tjerë e kemi dorëzuar ato propozime që në shtator por nuk është marr parasysh. Propozimi i tyre kolegëve vjen si rrjedhoje e Konfederatës që kanë formuar si koalicion por unë nuk jam pjesë e kësaj nisme.
Si e komentoni protestën e djeshme ku disa përfaqësues të diasporës protestuan dje gjatë punimeve të Kuvendit duke kërkuar mundësimin e votës së emigrantëve?
Patjetër që ishte një gjendje e tyre për të tërhequr vëmendjen dhe e mbështes sepse kërkojnë një të drejtën e tyre të mohuar prej vitesh. Janë shqiptar që punojnë për Shqipërinë që për një mijë arsye janë larguar nga këtu dhe nuk kanë ikur për qejfet e tyre por prej halleve që ka Shqipëria. Kemi kaq vite që i gënjejmë emigrantët për mundësimin e votës. Një herë i themi që mungon lapsi, një herë themi që mungon letra dhe kështu kemi të paktën 10 vite dhe dal nga dal mund të ishte kolauduar sistemi. Të votojnë emigrantët, kemi 10 vjet që vetëm me demagogji, të dyja palët kanë frikë se nuk ka kush i kontrollon e emigrantët. Është shumë e mundur teknikisht, mund të bëhet me postë. T’u kthejmë të drejtën qindra mijëra shqiptarëve që janë jashtë që janë të interesuar për vendin kanë një lloj eksperience më demokratike se Shqipëria. Ata do sjellin një kontribut për vendin.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




