26-vjetori i çlirimit, Osmani: NATO-s solli shpresën në Kosovë. Begaj: Shqipëria do të jetë gjithnjë në krah

Kosovë | 1 vit më parë

Me rastin e 26-vjetorit të çlirimit të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani ka kujtuar hyrjen e trupave paqeruajtëse të NATO-s më 12 qershor 1999, duke e cilësuar atë si “zbarkim i shpresës për një popull të stërvuajtur”.

Osmani theksoi se ndërhyrja e NATO-s ishte vendimtare për çlirimin e Kosovës dhe rikthimin e mbi një milion shqiptarëve të dëbuar në shtëpitë e tyre.

Ajo theksoi se, pavarësisht përpjekjeve për të shtrembëruar historinë, e vërteta e Kosovës nuk mund të fshihet nga “gënjeshtra të shkruara me laps”.

“Kosova e lirë, përjetë krenare! Në këtë ditë, 26 vjet më parë, mbi tokën e djegur të Kosovës zbarkoi shpresa: 50 mijë ushtarë të NATO-s hynë në vendin tonë të stërvuajtur duke kontribuar në çlirimin e një populli që ishte shtypur me shekuj, e mbi një milion shqiptarë u kthyen në shtëpitë e tyre.

Luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ushtarët e NATO-s e kthyen tmerrin në guxim dhe dhimbjen në shpresë. Në atë ditë historike, ata sollën dritë pas një errësire të gjatë dhe e bënë lirinë realitet. Pavarësisht përpjekjeve të armiqve të Kosovës për ta ndryshuar historinë, një histori e shkruar me gjak nuk mund të ndryshohet e as fshihet nga gënjeshtra të shkruara me laps.  Kosova e lirë, e pavarur, demokratike, e përjetshme! Sepse përjetësinë ia dhanë dëshmorët e martirët e lirisë!”, shkruan Osmani.

Edhe presidenti Bajram Begaj, ka uruar popullin e Kosovës me rastin e 26-vjetorit të Çlirimit, përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale.

“Gëzuar Ditën e Çlirimit, Kosovë!”, shkruan Kreu i Shtetit, duke kujtuar ditën historike të hyrjes së trupave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO në Kosovë, më 12 qershor 1999.

Në mesazhin e tij, Presidenti Begaj thekson se kjo ndërhyrje ndaloi “masakrat çnjerëzore dhe spastrimin etnik kundër popullsisë civile që po ndodhte në zemër të Evropës”, duke e cilësuar një nga momentet më të rëndësishme të ndërgjegjes ndërkombëtare për t’i dhënë fund një prej faqeve më të errëta të historisë moderne.

Begaj nderoi gjithashtu luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shprehu mirënjohje ndaj aleatëve dhe partnerëve ndërkombëtarë që kontribuuan në çlirimin dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës.

“Shqipëria do të jetë gjithnjë në krah të Kosovës, besimplotë në të ardhmen e përbashkët evropiane”, përfundon mesazhin e tij Presidenti Begaj.

Më 12 qershor 1999, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë, pak ditë pas përfundimit të fushatës ajrore të Aleancës kundër objektivave ushtarake dhe policore serbe. Bombardimet e NATO-s, të cilat nisën më 24 mars dhe përfunduan më 10 qershor, u ndërmorën në përgjigje të represionit dhe spastrimit etnik të ushtruar nga regjimi i Beogradit ndaj shqiptarëve të Kosovës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme