35 vatra zjarri në bashkinë Mirditë, rreziku evident edhe gjatë gushtit. Kryebashkiaku Mëlyshi: Sinjalizoni në kohë!

Aktualitet | 1 vit më parë

Mirdita është përballur me një situatë të vështirë nga zjarret gjatë kësaj vere.

Sipas të dhënave zyrtare, vetëm gjatë muajve qershor dhe korrik janë shënuar 35 raste në zona të ndryshme të kësaj bashkie, por fatmirësisht nuk janë shkaktuar dëme në pronën e qytetarëve, por vetëm në ekonomitë pyjore.

Kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Mëlyshi, thotë se angazhimi i strukturave për përballimin e situatave të krijuara ka qenë maksimal, ndërsa ende nuk ka një bilanc përfundimtar të sipërfaqeve të djegura.

“Janë djegur sipërfaqe të mëdha të ekonomive pyjore të Lurthit, Kulmes dhe një zonë në Fan,” tregon z. Mëlyshi.

Për sa kohë temperaturat vijojnë të jenë të larta, rreziku nga zjarret mbetet po aq i lartë edhe gjatë muajit gusht. Në këto kushte kryebashkiaku Mëlyshi apelon për kujdes maksimal dhe sinjalizim në kohë në raste zjarresh.

“Zjarri nuk rrezikon vetëm pyjet, por rrezikon banesat, jetën e njerëzve. Nga një pakujdesi e momentit, nga një dashakeqësi e një individi që mund të ketë probleme, ato sjellin pasoja shumë të rënda dhe fatale për jetë njerëzish. Kështu që do u kërkoja njerëzisht, ligjërisht, që të qëndrojnë larg zjarrvënies së qëllimshme dhe të sinjalizojnë shërbimin zjarrfikës për të ndërhyrë në kohë dhe të mos kemi të tilla probleme,” apelon z. Mëlyshi.

Bashkia e Mirditës ka një terren malor me sipërfaqe të mëdha pyjore, ndaj mbetet një ndër zonat më të riskuara nga zjarret në qarkun e Lezhës.

Gazetare: Nermin Spahiu

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme