“3D” – 21 Janari, Cara: Berisha do shkojë në SPAK, nuk i ka refuzuar kurrë fletë-thirrjet. Gjikondi: Kjo çështje është përdorur për politikë si nga PD dhe PS
Diskutimet mbi paraqitjen e Sali Berishës në SPAK për çështjen e 21 janarit kanë ndezur debat në emisionin “3D” nga Alban Dudushi në RTSH.
Deputeti i PD, Igli Cara deklaroi se Berisha do të paraqitet të mërkurën në SPAK, duke theksuar se ai nuk ka refuzuar asnjëherë thirrjet e këtij institucioni.
“Berisha e ka deklaruar se do të jetë në SPAK dhe nuk ndodh që të mos shkojë. Pa diskutim që ai do të jetë të mërkurën në SPAK; ai asnjëherë nuk ka refuzuar të paraqitet sa herë është thirrur. Këtë herë ishte një keqkuptim për punën e datës, por nuk e ka shmangur kurrë. Mendoni ju se 21 janari është një çështje për të cilën Berisha të mos shkojë në SPAK? Besoj se kjo është një çështje që duhet t’ia lëmë drejtësisë dhe nuk ka asnjë interes tjetër. Kjo çështje ka 14 vite dhe është ende në hetim”, tha Cara.
Ndërsa analistja Brizida Gjikondi mbajti një qëndrim krejtësisht të ndryshëm, duke nënvizuar se çështja e 21 Janarit është shfrytëzuar nga të dyja anët e politikës për të sulmuar njëri-tjetrin.
Ajo theksoi se 21 janari është përdorur ndër vite si armë politike “si nga e majta, ashtu edhe nga e djathta”.
“Sa herë vjen thirrja nga SPAK, ai nuk shkon që herën e parë, gjithmonë përpiqen të shtyjnë afatet dhe të mos përballen me drejtësinë. 21 janari është një çështje që është hapur vetëm falë familjes së Aleks Nikës, pasi po të ishte si për të majtën apo të djathtën, ajo çështje do të ishte mbyllur. Dëshmia e Lulzim Bashës mund t’i ketë dhënë një dritare të re çështjes së 21 janarit, por do të ishte mirë që të pyeteshin edhe deputetët e PS për këtë çështje, të cilët janë “shpërblyer” për të. 21 janari është përdorur si nga e majta, ashtu edhe nga e djathta, për të sulmuar njëri-tjetrin”, tha Gjikondi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




