‘3D’ në RTSH- Analisti Neza: Veliaj e ka humbur betejën politike, tani duhet të ruajë nderin

Politikë | 1 vit më parë

Ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, e ka humbur betejën politike pas shkarkimit nga posti dhe tashmë ndodhet në kushtet kur duhet të ruajë “nderin” përpara Partisë Socialiste. Ky ishte komenti i analistit politik Sami Neza, i ftuar në emisionin “3D nga Alban Dudushi” në RTSH.

Sipas Nezës, pavarësisht ankesës së Veliajt në Gjykatën Kushtetuese, procesi i shkarkimit tani mund të konsiderohet i mbyllur, duke hapur rrugën për zgjedhje të parakohshme në kryeqytet.

Analisti parashikon se vendimi për datën e zgjedhjeve në Tiranë do të jetë “ai që do Rama” dhe se Presidenca do ta shpallë atë shumë shpejt, mbase që nesër.

“Në Tiranë do të kemi kryetar të ri, e s’do ketë anulim të zgjedhjeve. Besoj se do të kemi datën për zhvillimin e zgjedhjeve në Tiranë nga presidenti, atë që do Rama,” deklaroi Neza.

Ai theksoi se një proces gjyqësor në Kushtetuese vështirë se mund të zhvillohet brenda afatit të shkurtër prej 45 ditësh.

Përballja me instrumentet e qeverisë

Neza analizoi se Veliaj po kapet pas shkeljes së mundshme të procedurave në shkarkimin e tij. Megjithatë, ish-kryebashkiaku ka kundër të gjitha instrumentet e qeverisë, përfshirë Presidencën dhe vonesat e pritshme në gjykatë.

Analisti e cilësoi situatën si pasojë e përplasjes së brendshme Rama-Veliaj. Përfundimi i kësaj beteje, sipas Nezas, “është qartazi në dëm të ish-kryebashkiakut”.

“Veliaj politikisht ka humbur, atij i duhet ruajë nderin tani para socialistëve,” përmbylli Neza.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme