“3D“ në RTSH- Protesta e PD të hënën, Bregu: Më shumë si veprim simbolik. Alibali: Metodë e vjetruar

Politikë | 12 muaj më parë

Protesta e paralajmëruar nga Partia Demokratike për të hënën ka ngjallur debate. Analistët Zylyftar Bregu dhe Neritan Alibali, të ftuar në emisionin “3D” në RTSH, ranë dakord se tematika e zgjedhur nga opozita për mosfunksionimin e Parlamentit nuk është e përshtatshme për mobilizimin masiv të qytetarëve.

Bregu: Protesta, vetëm simbolike

Analisti Zylyftar Bregu shprehu skepticizëm për suksesin e protestës, duke e cilësuar motivin e saj si elitare dhe të shkëputur nga shqetësimet e përditshme të njerëzve.

“Mosfunksimi i parlamentit më duket elitare si motiv. Ti kërkosh popullit të lërë punët e veta e të vijë në protestë se nuk funksionon parlamenti, nuk më duket e gjetur,” u shpreh Bregu.

Ai vërejti një çoroditje në aksionin opozitar, ku nga njëra anë merret pjesë në komisione, si ai i Reformës Territoriale, dhe nga ana tjetër nuk kryhet analiza e rezultateve zgjedhore.

“Më duket e sforcuar stina e protestave. Nuk shoh që të jetë një stinë protestash. Mund të ketë një protestë simbolike ditën e hënë. Puna është të vijnë njerëzit,” shtoi Bregu.

Alibali: Metoda të vjetra, mungesë kreativiteti

Juristi Neritan Alibali, ndonëse nënvizoi se protesta është një e drejtë demokratike, vlerësoi se metoda e zgjedhur nga opozita është vjetruar.

“Protestat mbështeten tek numri. Metodat e vjetra të kundërshtimit si këto protesta nuk vlejnë më. Opozita duhet të jetë kreative,” tha Alibali.

Ai sugjeroi se nëse protestat do të fokusoheshin te problemet reale që prekin drejtpërdrejt qytetarët, si çmimet e larta dhe uji, pjesëmarrja do të ishte dukshëm më e madhe.

Alibali gjithashtu kritikoi opozitën për mungesën e betejës politike brenda Kuvendit dhe mungesën e analizës së brendshme, sidomos pas raportit të OSBE/ODIHR.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme