“3D” në RTSH, Salianji: Lëvizja ime diktohet nga demokratët, nuk krijon dualitet me Berishën, por s’mund të themi përherë që na e hodhi Rama

Politikë | 11 muaj më parë

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka folur hapur lidhur me situatën e brendshme në kampin blu, duke lëshuar kritika ndaj drejtuesve për mungesë reflektimi pas zgjedhjeve të 11 majit.

I ftuar në emisionin “3D” të Alban Dudushit në RTSH, Salianji komentoi turin e tij të fundit të takimeve në bazë (Durrës dhe Gjirokastër), duke e cilësuar atë si një lëvizje të domosdoshme për të “rizgjuar” partinë nga letargjia.

Salianji theksoi se lëvizja e tij nuk bëhet me harta të paracaktuara, por diktohet nga shqetësimet e bazës demokrate. Sipas tij, premtimi për analizën e zgjedhjeve u vonua.

“U tha që pas zgjedhjeve të 11 majit do të ketë analizë dhe ajo u zvarrit. Lëvizja jonë është paqtuese, i jep energji PD-së dhe e bën konkurruese. Ajo ngacmon shurdhërinë e drejtuesve të PD-së që nuk kanë dashur të dëgjojnë,” deklaroi Salianji.

Ai shtoi se qëllimi është rikthimi i meritokracisë dhe karrierës në parti, duke nënvizuar se takimet e tij nuk janë “private”, por politike në shërbim të demokratëve.

Raporti me Berishën

I pyetur nëse takimet e tij krijojnë dualitet me kreun e PD-së, Sali Berisha, deputeti demokrat e mohoi një gjë të tillë, por theksoi se çdo drejtues e ka për detyrë të jetë aty ku janë problemet.

“Nuk mendoj se ka dualitet mes meje dhe Berishës. Unë jam përfaqësues i PD. Nëse edhe privatisht mbledh mijëra demokratë, kjo i bën mirë PD-së,” u shpreh ai.

Avokati i Popullit

Një pjesë të rëndësishme të kritikës, Salianji e fokusoi te strategjia parlamentare e PD-së, duke marrë si shembull procesin për zgjedhjen e Avokatit të Popullit.

Ai e quajti “gabim të rëndë” propozimin e 15 emrave pa një direktivë të qartë politike.

“Duhej të shkohej me një emër. Është një gabim i rëndë, pasi i jep mundësi shumicës të bëjë ato që bën. PD-së i heq pikë çdo ulje me Ramën nëse ai nuk firmos përpara çështjet që PD shtron. S’mund të themi përherë që na e hodhi Edi Rama,” tha Salianji.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme