“3D”- Plator Nesturi: Formula e mbështetjes së të pavarurve ishte ‘kurth‘ i PD-së për të testuar partitë e vogla

Politikë | 12 muaj më parë

Analisti Plator Nesturi, në një analizë për emisionin “3D” në RTSH, me Alban Dudushin, ka vënë në pikëpyetje strategjinë e Partisë Demokratike për të mbështetur kandidatë të pavarur në zgjedhjet e pjesshme vendore, duke e cilësuar atë si një lëvizje taktike “të destinuar për të dështuar“.

Sipas Nesturit, kjo formulë ishte një dredhi e PD-së për të margjinalizuar partitë e vogla opozitare.

“Ishte një taktikë nga PD-ja për testimin e partive të vogla. PD-ja, duke parë krizën e madhe që ka brenda saj, mungesën e mbështetjes së elektoratit, përdori këtë taktikë sepse e dinte se do të humbte thellë. Futi partitë e vogla në këtë kurth për t’u treguar se ato nuk kanë peshë dhe ide,”, theksoi analisti.

Rrymat brenda PD-së dhe dorëheqja e Leskajt

Nesturi shpjegoi se brenda PD-së kishte dy rryma të qarta mbi pjesëmarrjen, ku njëra kërkonte përballjen direkte dhe tjetra mospjesëmarrjen.

Ai e lidhi dorëheqjen e deputetit të Vlorës, Bujar Leskaj, pikërisht me këtë përplasje, duke thënë se Leskaj ka qenë pro betejës në Vlorë dhe hyrjes së PD-së me kandidatë të saj në zgjedhje.

Sistemi ka rënë, ka humbur besimi

Nesturi vuri theksin te problemi sistemik që shfaqën këto zgjedhje, duke u larguar nga fokusi i fitores së socialistëve, e cila ishte e parashikuar për shkak të organizimit më të mirë elektoral.

“Sistemi ka rënë. Ai bie kur nuk funksionon. Votimi ku mungon qytetari dëshmon humbje besimi. Nuk janë vetëm plagë të PD-së, por edhe të politikës në përgjithësi,”, argumentoi analisti, duke bërë thirrje që edhe PS-ja të bëjë analizën e saj, pasi sistemi ka nevojë të rregullohet për të qenë funksional.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme