Helmimi në kopshtin e Gramshit, policia: 6 fëmijë morën ndihmë në spital, janë marrë mostra ushqimore

Aktualitet | 1 vit më parë

Për helmimin nga salmonela të disa fëmijëve në kopshtin nr.1 në Gramsh ka nisur hetimet edhe policia, ku deklaron se janë marrë mostra të ushqimit të kopshtit për t’iu nënshtruar ekzaminimeve të mëtejshme laboratorike.

Sipas policisë të helmuar kanë përfunduar 6 fëmijë, të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërsa janë bërë analizat për të gjithë fëmijët dhe personelin e këtij kopshti.

Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale, janë sekuestruar kartelat klinike për 6 fëmijëve të shtruar në spitalin e Gramshit si dhe procesverbalet e kontrollit dhe furnizimit me produkte ushqimore të kopshtit.

Hetuesit kanë marrë edhe mostrat nga ushqimi për ekzaminime të mëtejshme në kushte laboratorike si dhe është bërë bllokimi i produkteve ushqimore të mbetura në kuzhinën e këtij kopshti.

Helmimi nga salmonela ndodhi një ditë më parë në kopshtin publik të Gramshit, ku fillimisht u raportuar për 3 fëmijë të helmuar, por numri i tyre është rritur më pas.

Gjendja shëndetësore e fëmijëve mësohet se është nën kontroll, ndërsa priten rezultatet përfundimtare të analizave për të përcaktuar burimin e saktë të infeksionit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme