65-vjetori i Televizionit Shqiptar – Kujtime dhe emocione nga dy ikona të medias, Timo Luto dhe Dhimitër Gjoka

Televizion | 2 vite më parë

Historia e transmetuesit publik lindi në 29 prill të vitit 1960. Më shumë se 6 dekada më parë, për qytetarët shqiptarë erdhi përshëndetja e parë përmes ekranit dhe ishte pikërisht ajo përshëndetje, që shënoi edhe fillimin e historisë që mban emrin Televizioni Shqiptar.

Kur flasim për historinë e Radio Televizionit Shqiptar, flasim për 65 vite që mbartin në vetvete kontributin e qindra profesionistëve që ndërtuan dhe lartësuan këtë institucion të informimit, edukimit dhe argëtimit.

Për të kujtuar këto momente dhe për të ndarë përvojat e tyre me publikun, në studion e emisionit “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH ishin të ftuar dy figura emblematike të këtij institucioni: gazetari i njohur Timo Luto dhe “Mjeshtri i Madh”, Dhimitër Gjoka. Me emocion dhe nostalgji, ata ndanë kujtimet e viteve të punës në RTSH, aty ku historia nuk është vetëm kujtim, por një realitet i gjallë që vijon të shkruhet çdo ditë.

Timo Luto, një nga gazetarët e njohur të RTSH-së, ndau me publikun kujtimet e tij nga fillimet në radio dhe kalimin në televizion. Ai theksoi se dallimi midis radios dhe televizionit është shumë i madh, por se televizioni gjithmonë ka pasur një ndikim më të gjerë dhe më shumë mundësi për të shprehur veten.

Ai theksoi gjithashtu se televizioni, edhe kur kishte vetëm një kanal, ka ecur përpara. “Pas viteve ’90, si gazetar, kam ndjerë veten të lirë dhe mundësinë për të shprehur më shumë”, theksoi ai.

“E kam filluar punën në Radio Tirana, isha student dhe në radio kishin shpallur një konkurs për zërat e rinj, mora pjesë dhe dola fitues. Më pas u emërova në radio, ku punova për 15 vite dhe më pas në 19991 kalova në televizion. Dallimi midis radios dhe televizionit është shumë i madh, televizioni të jep emër, kënaqësi dhe është me shumë vlerë të kalosh nga radion në televizion për faktin se në radio fjala është kryesorja dhe çdo gjë duhet ta mbështesësh mbi fjalën. Duhet ti japësh dëgjuesit jo vetëm ngjarjen por edhe efektet ndërsa televizioni është më i thjeshtë dhe më emocionues. Televizioni ka ecur mjaft edhe atëherë kur ishte vetëm një kanal televiziv. Unë si gazetar e kam ndjerë veten të lirë pas viteve 90”, u shpreh gazetari Timo Luto.    

Nga ana tjetër, Dhimitër Gjoka, një tjetër figurë e shquar e RTSH-së, kujtoi fillimet e tij në media dhe ndikimin që ka pasur puna e tij në zhvillimin e këtij institucioni. Ai foli për transformimet teknologjike dhe për atmosferën e veçantë që karakterizonte periudhën e viteve ’70 dhe ’80.

“Vij me një emocion të veçantë sepse në këtë studio kam pasur mijëra orë pune regjizure, me të cilat kam pasur të bëj me shumë bashkëpunëtor dhe është një emocion i veçantë që unë jam këtu tani si i ftuar.  Edhe unë e kam filluar me radion. Në vitin 1975 u bë një organizim nga e gjithë republika për të gjetur spiker për radion dhe fitova. Më vonë erdha në televizion ndërkohë që isha dhe student në akademinë e arteve. E kam filluar me aparatura kineze, më pas në 81 në këtë studio ashtu dhe në regji u instaluan aparatura moderne, kamera të reja, aparatura perëndimore të cilat ishin me shumë kualitet, më pas filloi transmetimi me ngjyra.  Profesioni është i njëjtë si atëherë edhe tani në strukturën e ndërtimit por koha atëherë kishte disa të veçanta të cilat njerëzit ishin të ndërgjegjshëm që nuk duhet ti bënin, duhet të ishim pak strikt për sa i përket kërkesave që kërkonte linja politike e kohës”, tha Mjeshtri i Madh, Dhimitër Gjoka.

Gjoka kujtoi gjithashtu figurat që kanë pasur ndikim të jashtëzakonshëm në historinë e RTSH-së, duke përmendur Kiço Fotjadhin, spikerin e parë të RTSH dhe Stoli Belin, bukuroshen e parë të ekranit.

 “Moderimi i lajmeve ishte një hobi dhe kaloi pak përpara ngaqë moderatori është i dukshëm në ekran, më pas në regji janë mijëra orë pune duke filluar me redaksinë e kulturës, me rubrikën sportive, me ndeshjet. Bashkëpunime të shkëlqyera me Vladimir Grillon, Alfons Gurashi, Ferdinand Samarxhi. Nuk dua të lë pa përmendur Kiço Fotjadhin, spikeri i parë i cili startoi në RTSh ashtu dhe Stoli Beli, bukuroshja e parë e ekranit. Që në fillimet e veta RTSh mori modelin e RAI-it dhe me atë strukturë eci deri vonë”, tha Gjoka.  

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme