Shkalla e meritës në administratë, Rama: Kemi potencial të madh profesional, duhet vlerësim për kapitalin njerëzor
Kryeministri Edi Rama ka prezantuar planin e ri të transformimit dhe vlerësimit të administratës publike, duke vënë theksin te reforma e shkallës së meritës dhe nevoja për të vlerësuar kapitalin njerëzor brenda shtetit.
Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se reforma synon të krijojë një administratë ku njerëzit më të aftë të kenë mundësi të përfshihen dhe të avancojnë në karrierë, bazuar në meritë dhe profesionalizëm.
Sipas tij, pjesë e këtij procesi është edhe përdorimi i inteligjencës artificiale dhe teknologjisë në funksion të përmirësimit të shërbimeve ndaj qytetarëve.
Rama u ndal edhe te krijimi i Ministrisë së Administratës Publike, e cila, sipas tij, do të përqendrohet te administrata, mirëqeverisja, zhvillimi i kapitalit njerëzor dhe cilësia e shërbimeve ndaj qytetarëve.
“Këto kohë kam dëgjuar se shumë janë përpjekur të dëgjohen, por nuk e ka bërë askush, përfshirë edhe mua. Tërësisht e kundërta është e vërtetë. Nëse sot kemi Praninë Besnike apo Pasqyrë Albania, apo një “Diella” të transformuar në një shërbëtor aktiv për të bërë një pjesë të madhe të punës për shërbimet ndaj qytetarëve në e-Albania, kjo vjen sepse kemi reflektuar se si të jemi më pranë njerëzve, duke sjellë më afër administratën dhe shtetin.
Pjesë e gjithë këtyre ndryshimeve, ku kemi thirrur në ndihmë AI-në dhe teknologjinë, është edhe shkalla e meritës. Shkalla e meritës është një reformë që, në thelb, ka pyetjen: “Si ta bëjmë administratën një hapësirë ku njerëzit më të aftë të mund të hyjnë dhe të ecin përpara në shkallën e hierarkisë në administratë?”.
Pjesë e kësaj reforme është edhe krijimi i Ministrisë së Administratës Publike, e cila për herë të parë i përkushtohet tërësisht administratës dhe mirëqeverisjes, trajtimit të kapitalit njerëzor dhe cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarit. Krijimi i ministrisë ngrihet mbi një punë dhe një bazë të mirë. Shkalla e meritës, që duket si një aspekt më teknik, prek mënyrën se si e kuptojmë marrëdhënien qytetar-shtet dhe marrëdhënien e shtetit me njerëzit që punojnë për të”, tha Rama.
Rama rikujtoi gjithashtu ndryshimet e ndërmarra në ofrimin e shërbimeve publike, duke përmendur reduktimin e sporteleve fizike dhe investimet në teknologji, të cilat, sipas tij, e kanë pozicionuar Shqipërinë si një nga vendet e përparuara të rajonit në fushën e qeverisjes digjitale.
“Kemi ndryshuar mënyrën se si ofrohen shërbimet, kemi hequr sportelet e tmerrshme, kemi investuar në teknologji, gjë që na ka bërë shembull në rajon dhe ka tërhequr vëmendjen edhe përtej tij. Kemi ndërtuar një infrastrukturë digjitale që na ka vendosur në grupin e vendeve më të përparuara në qeverisjen përmes teknologjisë. Gjatë procesit të negociatave me BE-në, kisha rezerva nëse administrata jonë do të ishte e përgatitur për t’u përballur me diplomatët e Brukselit. Sot konfirmohet hap pas hapi, jo nga ne, por nga Brukseli, se administrata jonë ka njerëz që njohin detaje dhe fusha shumë komplekse dhe përballen me dinjitet. Kemi një potencial të madh profesional brenda shtetit, të cilin kemi detyrimin ta vlerësojmë. Një pagë më të mirë dhe kushtet më të mira pune nuk zgjidhin problemin themelor, meritën’, tha Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




