79-vjetori i Kryengritjes së Postribës, ceremoni përkujtimore nga pushteti vendor dhe opozita

Aktualitet | 1 vit më parë

Kryengritja Antikomuniste e Postribës u përkujtua sot në 79-vjetorin e saj përmes dy ceremonive të ndara nga pushteti vendor dhe opozita.

Drejtues të Bashkisë Shkodër dhe Këshillit Bashkiak vendosën kurora me lule në nderim të kësaj date historike, ndërsa kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, në një reagim në rrjetet sociale, u shpreh: “79-vjetori i Kryengritjes së Postribës! Nderim dhe respekt për popullin e kësaj zone, gjithmonë liridashës dhe mbrojtës i parimeve të demokracisë dhe zhvillimit!”

Ndërkohë, në ceremoninë e organizuar nga Partia Demokratike dhe Shoqata e të Përndjekurve Politikë, pjesëmarrësit theksuan se kjo datë mbetet një mesazh i fortë kujtese dhe një thirrje për vijimësinë e rezistencës ndaj çdo forme të neodiktaturave.

“Postriba nuk është thjesht një faqe historie dhe krenarie, që ne sa herë vijmë këtu e shpalosim çdo shtator në formën e një rituali. Jo! Është edhe një manual qëndrese, bese dhe burrërie,” deklaroi Luçiano Boçi, drejtuesi politik i PD-së në Shkodër.

Kryengritja e Postribës e shtatorit 1946, e njohur si lëvizja e parë antikomuniste në rajon, nuk e arriti objektivin e saj dhe u shtyp me dhunë nga regjimi i sapovendosur. Megjithatë, ajo mbetet një simbol i fuqishëm i qëndresës nacionaliste kundër komunizmit.

Në 62-vjetorin e saj, Postriba është nderuar me Urdhrin “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës.

Gazetar: Adrian Hoti

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme