8 Dhjetori, Berisha: Data më e rëndësishme pas shpalljes së pavarësisë, ditëlindja e lirisë së popullit shqiptar

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kujtuar 8 Dhjetorin dhe figurën e Azem Hajdarit, duke e cilësuar këtë datë si një nga më të rëndësishmet pas shpalljes së pavarësisë.
Gjatë aktivitetit në Qytetin Studenti, Berisha thekson se protestat e dhjetorit 1990 ishin si një “uragan i vërtetë” që në vetëm tre ditë ndryshuan epokat dhe sollën pluralizmin në vend.
Studentët, të cilët ai i përshkruan si “engjëjt e demokracisë”, dolën në rrugët e Tiranës për të përmbysur diktaturën komuniste.
“Në dhjetor 1990 nisi protesta që si uragan i vërtetë në tre ditë ndau epokat dhe solli pluralizmin në vend. 8 dhjetori është data më e rëndësishme pas shpalljes së pavarësisë, është ditëlindja e lirisë së popullit shqiptar. Studentët ose engjëjt e demokracisë të udhëhequr nga Azem Hajdari u ngritën në Tiranë për të përmbysur diktaturën komuniste. Studentë e “Dhjetorit ‘90”, misionarë të paepur dhe të pamposhtur të cilët që në protestën e parë shpallën moton “Liri Demokraci: Shqipëria si Europa”, tha Berisha.
Berisha tha se Azem Hajdari dhe shokët e tij të protestave ishin heronjtë e vërtetë, të përballur me tanket dhe mitralozat e regjimit, por që qëndruan të guximshëm dhe të pamposhtur, duke fituar lirinë dhe demokracinë për vendin.
“Azem Hajdari dhe studentët e dhjetorit ishin heronjtë e vërtetë pasi ata dolën në rrugët e Tiranës të vetëm përballë regjimit, që kishte vendosur para tyre tanket e mitralozat. Studentët, të armatosur me guximin e tyre qëndruan të pamposhtur dhe fituan”, tha Berisha.
8 Dhjetori mbetet një datë historike që simbolizon lindjen e pluralizmit dhe të drejtën e popullit shqiptar për liri dhe demokraci.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




