8 të lënduar si pasojë e zjarreve në Gramsh. Situata kritike edhe në Delvinë, flakët po i afrohen banesave dhe puseve të naftës

Aktualitet | 1 vit më parë

Zjarret e përhapura nga era e fortë dhe temperaturat e larta po vazhdojnë të shkaktojnë dëme të mëdha në Gramsh dhe Delvinë.

Në Gramsh, tetë persona kanë marrë lëndime dhe janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore, ndërsa ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Fatkeqësisht, në këtë zonë, është shënuar edhe viktima e parë nga flakët, një 80-vjeçar, i cili humbi jetën si pasojë e asfiksisë.

Flakët kanë përfshirë disa banesa, ndërsa autoritetet kanë nisur shpërndarjen e ndihmave për banorët e prekur, të cilët janë evakuuar në zona më të sigurta. Ministria e Mbrojtjes ka dhënë më herët alarmin për evakuim urgjent të fshatrave Vokopolë, Zhapokikë, Plashnik dhe Panarit, si dhe të zonave brenda Rezervatit të Mbrojtur “Balloll”.

Në shuarjen e zjarreve janë angazhuar forca zjarrfikëse, trupa të Forcave të Armatosura dhe banorë të zonës, ndërsa ndërhyrja po bëhet edhe nga ajri.

Bashkia Gramsh ka marrë masa urgjente për strehimin e banorëve të evakuuar nga zonat e prekura nga zjarret. Nënkryetari i bashkisë, Tajar Bici, bëri me dije se janë siguruar 120 shtretër nga konvikti i shkollës së mesme dhe nga bizneset lokale që kanë vënë në dispozicion hapësirat e tyre.

Aktualisht janë evakuuar dhe strehuar në qytet 32 banorë, ndërsa pjesa tjetër ka zgjedhur të qëndrojë pranë zonave të tyre për të ndihmuar në shuarjen e flakëve.

Situata është kritike në fshatrat Shëmbërdhenj dhe Bletas, ku banesat janë shkrumbuar pothuajse tërësisht. Rreziku vijon të jetë i lartë edhe për fshatrat Harunas, Nartë, Shelcan, Bulçar, Snisëm, Sojnik, Probat dhe Grabova e Poshtme.

“Bashkia Gramsh dhe emergjencat civile kanë marrë të gjitha masat për të strehuar banorët që janë evokuara nga zonat problematike sidomos nga Skendërbgas. Kemi 120 shtretër nga konvikti dhe bizneset që kanë vënë në depoziton hotelet e tyre. Janë 32 persona që janë regjistruar në konviktin e shkollës së mesme, por jemi ende në pritje pasi gjatë natës mund të kemi persona të tjerë për t’u strehuar. Janë marrë masat për ushqimin është vënë transporti për banorët dhe do kemi dhe çadra nga emergjencat civile po mendojmë se deri tani mund t’i strehojmë në ambiente publike dhe private”, tha Bici.

Ndërkohë, situata mbetet e rrezikshme edhe në Delvinë, ku flakët po u afrohen puseve të naftës dhe depozitave me kondensat, duke rritur rrezikun e një shpërthimi. Autoritetet bëjnë thirrje për afrim të menjëhershëm të mjeteve zjarrfikëse në zonën e puseve. Në terren ndodhen ambulanca, mjete zjarrfikëse të Delvinës, si dhe helikopterë e forca të ushtrisë për të ndihmuar në izolimin e vatrave.

Zjarri po përhapet me shpejtësi në malin e Llakës, ku flakët janë afruar dhe po rrezikojnë banesat. Autoritetet dhe forcat zjarrfikëse po përpiqen të vendosin nën kontroll situatën për të shmangur dëmet e mëtejshme

Strukturat e emergjencës po e ndjekin nga afër situatën, e cila mbetet kritike.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme