89 milionë euro për barazinë gjinore, tregu i punës më i mundur për gratë
Të jesh i barabartë në shoqëri do të thotë të sigurohesh që politikat për këtë të financohen.
Vetëm për vitin 2025 janë parashikuar 89 miliardë lekë për mbështetjen e politikave me bazë gjinore.
Organizata e Kombeve të Bashkuara për Gratë (UN Women) në Shqipëri e konsideron sukses buxhetimin gjinor në procesin e hartimit të projektbuxhetit.
Planifikimi ka bërë që 77 programe të kenë financim për të përfshirë edhe barazinë gjinore në zbatimin e tyre, nga 38 që ishin në vitin 2019.
“Kur puna ka filluar me qeverinë e Shqipërisë, 1 për qind e financave qendrore kishin elemente të barazisë gjinore. Në këto dhjetë vite, 10,8 për qind e planifikimeve buxhetore integrojnë elemente të buxhetimit gjinor. Shqipëria, përmes sistemit të financave që ka, konsiderohet një vend lider në rajon, por edhe në Evropë, për gjurmimin e buxhetimit të përgjithshëm gjinor,” thotë Erisa Çela, drejtuese e programeve të UN Women.
Financimi është i rëndësishëm edhe për sa i përket sektorëve të përzgjedhur.
“Sektorët kryesorë janë ai i mbrojtjes sociale dhe i shëndetësisë. Te këta sektorë kemi 12,5 për qind të gjithë buxhetit,” shprehet drejtuesja.
Apeli i zyrës së OKB-së për Gratë në Shqipëri është që vëmendja të shtrihet te financimi i ekonomisë së shërbimeve, të cilat lejojnë gratë të çlirohen nga shërbimi në familje.
“Nëse ne nuk investojmë në infrastrukturë në transport, në kopshte dhe çerdhe në mënyrë që jeta e tyre të lehtësohet dhe të kenë akses në tregun e punës, atëherë kemi dështuar në gjysmën e popullatës, mbështetjes që atyre duhet t’u japim dhe aksesit që ato duhet të kenë në tregun e punës,” thekson znj. Çela.
Gazetare: Entela Komnino
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




