Përkthehet në italisht vëllimi “Bukuria që vret” i Migjenit

Një nga gjenitë e letërsisë shqipe, Migjeni tashmë flet edhe italisht.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti njoftoi sot se është përkthyer në italisht vëllimi “Bukuria që vret”.
“Një nga gjenitë e letërsisë shqipe, i riu i përjetshëm, Migjeni tashmë flet edhe italisht. Shtëpia botuese “Besa” dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ndajnë me ne lajmin e mirë të përkthimit të vëllimit “Bukuria që vret”, mbështetur nga Fondi i përkthimit nga gjuha shqipe në gjuhë të huaj. Përgëzime Ada Prizreni për punën!”, u shpreh Margariti.
Migjeni kaloi nga një romantizëm revolucionar në realizëm kritik gjatë jetës së tij. Atë e indinjonte së tepërmi hendeku i thellë i pabarazisë midis klasave. Kjo e shtyu të pasqyronte varfërinë e thellë të viteve kur jetoi, dhe duke u dalë zot heronjve të krijimeve të tij si “Bukën tonë të përditshme falna sot”, “Bukuria që vret”, “Mollë e ndalueme”, “Legjenda e misrit”, “A don qymyr zotni ?”, etj. Ai i përkrahte të rinjtë me idenë revolucionare për të ndryshuar vendin. I shtynte të merrnin guximin për të vepruar.
Pasqyrimi i varfërisë së thellë të masave zë vend qendror në të gjitha botimet e Migjenit. Për shkrimtarin kishte rëndësi të madhe shoqërore që të dilte në dritë sa më qartë humnera e vuajtjeve, ku e kishte hedhur popullin regjimi. Heronjtë e veprave të tij më të mira ishin të papunë që rropateshin gjithë ditën për të nxjerrë kafshatën e gojës, malësorë që qëndronin në zgrip të jetës, të mjerë që nuk u kishte ecur në jetë dhe ishin flakur jashtë shoqërisë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




