“Paketa e Maleve” shkon në Kuvend, Zhupa akuza qeverisë: Po përdorni grantet për të blerë vota

Politikë | 2 vite më parë

Deputetja demokrate Ina Zhupa ka akuzuar Partinë Socialiste për përdorimin e projektligjit për “Paketën e Maleve” si një mjet elektoral. Ajo ka thënë se ky projektligj është futur në rendin e ditës së Kuvendit për të shpërndarë grante dhe favore, duke synuar të marrë vota për PS në zgjedhjet e 11 majit.

Zhupa e ka cilësuar këtë si një shkelje të Kodit Zgjedhor, që ndalon shpërndarjen e granteve në periudhën zgjedhore, dhe ka kërkuar heqjen e tij nga kalendari i punës.

“Ne jemi mbledhur më 20 Janar dhe Paketa e Maleve nuk ka rezultuar në projekt-kalendar. Tani na del që e paskan depozituar në datën 10 Janar. Keni futur për në seancë plenare sepse po e përdorni Kuvendin si aset elektoral dhe po bëni ligjvënie elektorale me qellim shpërndarjen e favoreve dhe parasë publike për të marr votën për Partinë Socialiste. Ju parashikoni të jepni grante për të marr vota. Kodi Zgjedhor e ndalon këtë shpërndarje grantesh në kohë zgjedhore, por ju nuk pyesni. Ndërkohë ligjet e ministrave tuaj i kaloni në korsinë e shpejtë, ndërsa nismat e deputetëve kanë me vite që nuk shqyrtohen. Hiqeni urgjentisht nga kalendari sepse jeni në shkelje të Kodit Zgjedhor” është shprehur Zhupa.

Projektligji për “Paketën e Maleve” synon të mbështesë zhvillimin ekonomik të zonave malore përmes investimeve nga sektorin privat. Investitorët mund të blejnë truall shtetëror për vetëm 1 euro, por certifikata e pronësisë do të merret vetëm pas përfundimit të projektit.

500 subjektet e para do të përfitojnë nga disa përjashtime tatimore për 10 vjet. Qëllimi i ligjit është të tërheqë investime, të mbrojë burimet natyrore, të krijojë vende pune dhe të përmirësojë kushte jetese në këto zona malore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme