Reforma Zgjedhore dhe votimi i emigrantëve, Celibashi takon shefin e ri të OSBE-së në Shqipëri

Politikë | 2 vite më parë

Reforma Zgjedhore ka qenë të martën në qendër të një takimi që Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi zhvilloi me ambasadorin e ri të Prezencës së OSBE në Tiranë, Michel Tarran.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë KQZ-ja, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale. Celibashi, duke iu referuar takimit, shprehet se me ambasadorin e ri të Prezencës së OSBE në Tiranë, Tarran, është vlerësuar mbështetja e dhënë ndaj KQZ-së.

“Diskutuam me detaje mbi afatet e realizimit të reformës zgjedhore dhe votimit nga jashtë dhe ishim në të njëjtën frekuencë në lidhje me kohën për realizim, kohë e cila po shkurtohet ditë pas dite. Ambasadori Tarran nënvizoi se mbeten vetëm 10 muaj kohë për të nisur nga zero procesin e votimit të shqiptarëve jashtë vendit dhe se do të jetë tejet e vështirë për KQZ për t’u kryer, pasi votimi nga jashtë mbetet problematik nga pikëpamja teknike edhe për vende shumë më të zhvilluara se Shqipëria. Ambasadori i OSBE theksoi se forcat politike duhet të gjejnë marrëveshje sa më shpejt pasi procesi i përgatitjes së votimit nga jashtë kërkon kapacitete, kohë dhe shpenzime tejet të konsiderueshme.”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Ndërsa ambasadori Tarran ka theksuar në komentet e tij se ka trashëguar një raport të shkëlqyer bashkëpunimi mes OSBE-së dhe KQZ-së dhe se do të vijojë thellimi i bashkëpunimit dhe mbështetjes institucionale.

Në takim është biseduar edhe për projektet e përbashkëta të edukimit zgjedhor dhe trajnimit të administratës zgjedhore me fokus krijimin e një strukture të përhershme të trajnimit me qëllim rritjen e kapaciteteve të administratës zgjedhore në rrugën drejt depolitizimit të saj gradual.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme