“Greqia na nxori pengesa artificiale”, Blendi Klosi: Ja pjesëmarrja që presim nga emigrantët e Italisë

Politikë | 2 vite më parë

Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi, pret që edhe në Itali të ketë një pjesëmarrje masive të emigrantëve shqiptarë në takimin me kryeministrin Edi Rama në 26 Maj në një zonë afër Milanos. “Pjesëmarrja besoj do të jetë si ajo e Athinës. Ne presim një pjesëmarrje prej rreth 10 mijë shqiptarësh të Italisë”- tha zoti Klosi në një intervistë për emisionin “Pa Censurë”, në RTSH.

Një nga faktorët e entuziazmit të Athinës, që Blendi Klosi beson se është i papërsëritshëm, duket se ka qenë sjellja ndaluese e autoriteteve greke. Të paktën këtë shpjegim dha numri dy i PS, të cilit i është dashur të udhëtojë në Greqi 4 herë brenda një muaji për të zgjidhur problemet e lindura.

“Në Athinë patëm një zhvillim, që tani mund të themi se ishte pozitiv, sepse krijoi një atmosferë të ndezur atje. U ndeshëm me një sërë pengesash artificiale, që krjuan administrata të caktuara në shtetin helen për të mos u zhvilluar takimi, megjithëse asnjëherë nuk kishte përgjigje negative.”- u shpreh Klosi, i cili nuk ngurron të bëjë dallimin mes Greqisë dhe Italisë.

“Ndryshe nga Greqia, në Itali nuk kemi patur asnjë problem. Salla është prenotuar 1 muaj përpara, siç bëmë me Athinën. Salla e Milanos është më e madhe se ajo e Athinës, ka rreth 7 mijë vende të ulura, shpresojmë të kemi rreth 10 mijë shqiptarë dhe besoj se do të jenë, pasi takimet janë ndihmuar shumë nga entuziazmi i mitingut të Athinës.”- tha Blendi Klosi për RTSH.

Megjithë vëmendjen së fundmi ndaj emigrantëve, një nga problemet madhore, vota e emigrantëve ende nuk është zgjidhur. Sekretari i Përgjithshëm i PS Blendi Klosi rezervohet të japë një premtim final për realizimin e votimit në zgjedhjet e 2025-ës, por optimizmi nuk i mungoi.

“Çështjen e votës së emigrantëve e ngrita në fjalën time gjatë takimit në Athinë. Shpreha angazhimin dhe vendosmërinë e PS për ta realizuar votën e emigrantëve. Ne e kemi shprehur vullnetin tonë duke e vendosur këtë të drejtë në Kodin Elektoral. Në rast se do të ketë një vullnet politik edhe nga opozita, ne jemi të gatshëm dhe duam ta realizojmë atë votë. Ne kemi nisur punën për forcimin e degëve të PS aty ku ka më shumë shqiptarë për të patur forcë elektorale që të thithim votën e emigrantëve.  Vota e emigrantëve është në prag, ajo do të ndodhë shumë shpejt dhe ne duhet të jemi të përgatitur që të kemi degët tona të strukturuara.”- tha Blendi Klosi në RTSH.

 

 

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme