Vrasja e efektivit, Begaj shpreh ngushëllimet: Dënoj me forcë aktin kriminal

Presidenti i vendit, Bajram Begaj ka shprehur ngushëllime ndaj familjarëve të policit të vrarë, Novruz Cenalia, efektiv i ekipit “Shqiponja” të Fierit.
Kreu i shtetit ka dërguar një kurorë në homazhet e lamtumirës që u zhvilluan sot në qytetin e Fierit.
“Në këto çaste të vështira shpreh mbështetjen time për ju, të afërmit, miqtë dhe kolegët e Novruzit”, – shkruan Presidenti Begaj në mesazhin e ngushëllimit.
Gjithashtu, presidenti ka dënuar aktin kriminal, duke shprehur bindjen se institucionet përkatëse do të vendosin përpara përgjegjësisë autorin e kësaj ngjarjeje tragjike, i cili i mori jetën të riut me uniformë.
“Të dashur familjarë! Jam thellësisht i tronditur për ndarjen nga jeta të djalit tuaj, punonjësit të Policisë së Shtetit, Novruz Cenalia.
Asgjë nuk e lehtëson dhembjen që po përjetoni, por më lejoni që në këto çaste të vështira të shpreh mbështetjen time për ju, të afërmit, miqtë dhe kolegët e Novruzit. E dënoj me forcë këtë akt kriminal dhe shpreh bindjen se institucionet përkatëse do të vënë përpara drejtësisë autorin e kësaj ngjarjeje tragjike. Ju lutem, pranoni ngushëllimet e mia të sinqerta”, shkruan në mesazhin e tij të ngushëllimit, presidenti i vendit, Bajram Begaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




