Fituesit e olimpiadave kombëtare – Qarku Durrës me rezultate të larta, 9 nxënës u shpallën fitues

Qarku i Durrësit ka rezultuar me arritje të larta përsa i përket fituesve të olimpiadave të mbajtura në rang vendi përgjatë vitit 2023-2024.
Nga 46 fitues në konkurrimet për shkollat 9- vjeçare dhe gjimnazet, 9 ishin nga Durrësi.
Dy prej tyre janë këtë vit maturantë në shkollën e mesme “Rilindja”. Borin Bitraj fitoi çmimin e dytë në fazën e tretë të olimpiadës kombëtare të Fizikës, por duke mos patur fitues të çmimit të parë, ai u rendit me rezultatin më të mirë në shkallë vendi.
“Jam shumë i lumtur për këtë arritje pasi kam bërë një punë të mirë me mësuesit. Teza nuk ishte e lehtë, kishte shumë konkurrence. Ishte e vështirë të fitoje”, tregoi ai.
Dini Liço është një tjetër nxënës i kësaj shkolle që është shpallur fitues, duke zënë vendin e tretë në olimpiadën e Kimisë. Ai shpjegon se falë punës së vazhdueshme dhe konsultimeve në nivel të lartë me mësuesit, ka arritur këto rezultate.
“Shkencën e pëlqej shumë, i jep shpjegim jetës”, shprehet ai.
Ndër vite kjo shkollë ka nxjerë shumë nxënës fitues në olimpiadat kombëtare. Drejtori i shkollës shprehet se kjo është meritë e punës së palodhur të nxënësve por edhe mësuesve që japin mësim.
Olimpiadat kombëtare u organizuan në disa disiplina si matematika, fizika, kimia, biologjia, gjuha shqipe dhe letërsia, historia dhe gjeografia, duke përfshirë nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme nga e gjithë Shqipëria.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




