Rama: Korça dhe Pogradeci plotësojnë njëra-tjetrën

Akset e reja turistike në Pogradec kanë hapur një faqe të re në jetën e qytetit dhe krijuar kushte të reja për të mbështetur rritjen e ekonomisë së turizmit në të katër stinët.
Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi dhe Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi ishin sot në Pogradec ku panë nga afër disa prej ndërhyrjeve infrastrukturore me rëndësi për qytetin.
Rama tha se “ndërkohë që është gati edhe projekti i dy zonave historike, ku njësoj si në Korçë e në Vlorë, do të bëhet rehabilitimi i thellë i shtëpive të vjetra, përfshirë edhe shtëpitë e Lasgushit e të Mitrushit, të cilat janë destinacione të trashëgimisë shpirtërore të shqiptarëve”.
Kryeministri theksoi se “këtu më parë ishte një plehrinë e jashtëzakonshme, ishte një turp i madh dhe tani ka marr ajër zona”.
“Kemi folur me Nikon 100 herë. Fatkeqësi e madhe që ngeli Pogradeci si zonë lufte të ftohtë. Deri në Librazhd investime transformime, në Korçë dihet sa është bërë, këtu mbetëm sikur kalonim në një zonë të luftës së ftohtë për shkak të pushtetit vendor që ishte komplet i paangazhuar në bashkëpunim”, tha Rama.
Ai tha se “intensiteti i madh i kërkesës për Korçën ka bërë që në Korçë të kemi një rritje të vazhdueshme të numrit të shtretërve, por që nuk arrin dot akoma të përballoj gjithë kërkesën”.
“Prej kohësh ka filluar tendenca për ta kërkuar në Pogradec atë pjesën plotësuese. Tani me ndryshimet dhe integrimin e Pogradecit në këtë pol, e para do të rritet numri i shtretërve në Pogradec padiskutim si në Korçë dhe do të ketë shumë më tepër kapacitete Pogradeci për të përballuar kërkesën”, tha Rama.
Ai theksoi se gjithçka do të jetë e harmonizuar sepse shumëkush që do të niset për në Korçë do përfshijë Pogradecin si destinacion dhe anasjelltas dhe kjo do të bëjë që të harmonizohet komplet gjithë ky pol që nga liqeni deri lart në Voskopojë dhe Dardhë.
Ministri Shalsi theksoi se “kjo i hap rrugë edhe projektit fantastik dhe bën të mundur që ne tashmë të ndërhyjmë edhe te Lungolago”. Tani sipas tij “Korça dhe Pogradeci plotësojnë njëra-tjetrën”.
Ministri Peleshi theksoi se qëllimi është të zgjatim ditët e turizmit në rajon. “Ne jemi ende larg numrit të shtretërve për të cilin kanë nevojë turistët. Ne kemi më pak shtretër se kërkesa. Kjo ndodh në Korçë dhe në Pogradec. Perspektiva e biznesit të turizmit për të investuar në këtë fushë është shumë e madhe”, tha ai.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




