Diskriminimi gjinor në pagat, shqetësim edhe për banorët e Gjirokastrës

Sociale | 6 vite më parë

Edhe pse femrat në Shqipëri e preferojnë më shumë arsimin se meshkujt, ato janë më të keqpaguara në profesionet që zgjedhin të ushtrojnë. Sipas të dhënave nga INSTAT për popullsinë mbi 25 vjeçe me arsim të detyruar 8 dhe 9 vjeçar, janë 54% e grave dhe 44,5 e burrave, ndërsa me arsim të lartë janë 18,5% e grave dhe 16,1% e burrave. Paga mesatare bruto në Shqipëri për burrat është 10.1% më e lartë se ajo e grave. Edhe në Gjirokastër ky fenomen është shqetësues për banorët. Ata thonë për rtsh-Gjirokastra se ky është një diskriminim kundrejt gjinisë femërore që ka ekzistuar prej vitesh dhe ekziston edhe sot.

 

 “Patjetër që diskriminim është që për punë të barabartë, shpërblimin e kanë ndryshe. Gjithmonë kështu ka qenë dhe kështu do të vazhdojë të jetë. Detyrimisht burrat bëjnë punë më të rënda, se punojnë në ndërtim dhe në të tëra por edhe gratë, bëjnë punë të rënda se punojnë në bujqësi, në blegtori, etj ose edhe në fasoneri që punojnë me turne.

Gratë kanë edhe punët e shtëpisë e mbajnë edhe fëmijët. Ne jemi pensionistë tani por e shikojmë këtë fenomen tek fëmijët tanë. Edhe më përpara ekzistonte ky femomen, unë kisha rrogë të madhe ndërsa bashkëshortja ime kishte rrogë të vogël”, shprehet një i moshuar. 

 

“Nuk paguhen barazi meshkujt me femrat. Gruaja paguhet më pak se burri. Në kohën tonë kishte shumë diferencë. Në bujqësi, bashkëshortja ime  punonte shumë ndërsa unë punoja më pak se ajo dhe merrja më shumë rrogë”, shprehet një tjetër. 

Megjithë faktin që burrat bëjnë punë më të rënda se gratë, ka nga ata raste që edhe gratë punojnë më shumë se burrat. Rast i tillë është Moza Kore. Ajo administron butikun e saj në qytetin e Gjirokastrës, ku ka punësuar edhe disa gra rrobaqepëse. Ajo thotë se ky diskriminim kundrejt gjinisë femërore përsa i përket pagave, nuk është i drejtë.  

 

“Kundrejt grave nuk duhet të ketë diskriminim në pjesën e pagave sepse ka gra që punojnë më shumë se një burrë, që nga unë e para. Përgjithësisht burrat paguhen më shumë. Ata bëjnë edhe punë më të rënda por edhe gratë punojnë shumë, kanë edhe punët e shtëpisë. Jo vetëm rroga duhet të jetë e barabartë por edhe punët duhet të jenë të barabarta”, shprehet Moza.  

 

Nëse femra do të paguhej për pastrimin e shtëpisë, përgatitjen e ushqimit dhe edukimin e fëmijëve, ajo do të sillte më shumë të ardhura se burri në shtëpi. Puna e papaguar në familje e mban gruan larg pozicioneve drejtues që sigurojnë të ardhura të mira monetare.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme